Kostumet e shqiptarëve e lanë të mahnitur piktorin serb Pavle Jovanoviç
Nën shoqërinë e Kolë Idromenos, ai kishte qenë edhe vetë në Shkodër në 1907
Nga Armand Plaka
Kostumet shumëngjyrëshe të shqiptarëve, e kishin mahnitur piktorin serb Pavle (Paja) Jovanoviç ( 1859-1957).
Nën shoqërinë e Kolë Idromenos, ai kishte qenë edhe vetë në Shkodër në 1907, ndërsa kostumet dhe motivet shqiptare e kishin shoqëruar e do ta shoqëronin atë vazhdimisht gjatë jetës së tij artistike.
I renditur padyshim si një nga piktorët dhe artistët më të mëdhenj të shekullit të shkuar në Serbi, punimet e tij plot ngjyra të ndezura, të cilat tashmë gjenden në shumë galeri europiane, janë një kontribut shumë i çmuar edhe për kulturën tonë kombëtare.
Faksimilja që po botoj, i përket vigjiljes së ekspozitës që artisti serb pritej të hapte në Beograd në vitin 1921 dhe kësisoj përbënte një motiv më shumë për të çelur kopertinën e një reviste mjaft të famshme të kohës në ish-Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.
Në edicionin e saj që botohej në Beograd me gërma latine e cirilike, revista kroate “Ilustrovani List” shkruante si diçiturë: “Tabloja e artistit serb, P. Jovanoviç, i cili pothuajse e ka përmbyllur tashmë punën për çeljen e ekspozitës së tij në Beograd”, duke e ilustruar me njërën prej tablove të tij më të famshme: “Vallja me jataganë”, ku qartazi shihen si fustanellat e toskëve, ashtu dhe motivet e veshjeve tipike kombëtare të malësorëve të veriut e të trevave të Kosovës.