Diplomacia Ekonomike, organizohet Forumi i parë i Grave Shqiptare Sipërmarrëse në Greqi
Ambasadorja Luela Hajdaraga theksoi rëndësinë e rolit të grave sipërmarrëse në ekonominë e vendeve
Në kuadër të vitit të Diplomacisë Ekonomike, Ambasada e RSH-së në Athinë, nën kujdesin e veçantë të Ambasadores Luela Hajdaraga, realizoi me sukses Forumin e parë të Grave Shqiptare Sipërmarrëse në Greqi me temë “Gratë sipërmarrëse udhëheqin: Një ngjarje për të festuar dhe për të frymëzuar”,
me pjesëmarrjen e grave dhe vajzave të angazhuara në fushën e sipërmarrjes, drejtimit dhe aktivizmit shoqëror.
Në fjalën përshëndetëse Ambasadorja Hajdaraga theksoi rëndësinë e rolit të grave sipërmarrëse në ekonominë e vendeve, ndikimin pozitiv në klimën tregtare, krijimin e vendeve të punës, sjelljen e risive dhe ndryshimeve, duke përgëzuar të pranishmet për sukseset e arritura përtej të gjithë vështirësive të të bërit biznes në tregje jashtë atdheut. Ambasadorja Hajdaraga shprehu kënaqësinë e veçantë për organizimin e një eventi kushtuar pjesës më dinamike të komunitetit, me kontribut të lartë dhe aftësi të jashtëzakonshme në balancimin e roleve si në familje, drejtim ashtu dhe në shoqëri, duke fituar betejat mbi stereotipet dhe duke hapur rrugët e suksesit për brezat e ardhshëm.
Këtë aktivitet e nderuan me fjalën e tyre, të ardhura posaçërisht nga Shqipëria:
Valbona Begolli, themeluese dhe Nënkryetare e Dhomës Ekonomike të Gruas së Shqipërisë, drejtuese ekzekutive e ALB Group, grupit të bizneseve Albpastrim, Albacademy, Albsolution, me mbi 350 punonjës të kualifikuar.
Elisa Motro-Iljazi, Drejtore Ekzekutive e EMI-CC Coaching and Consulting, e mirënjohur në fushën e këshillimit dhe mentorimit mbi Burimet Njerëzore, Zhvillimit të Biznesit dhe Leadershipit, profesore e Tirana Business University dhe autore e librit të biznesit “Planifiko m’Elidën”.
Në panelin e diskutimeve ndanë përvojat dhe ekspertizën e tyre sipërmarrëset e suksesshme shqiptare në Greqi:
Miranda Kapetani, Nënkryetare e Bordit Drejtues të Komisionit Greko-Shqiptar të DHTP Athinë, anëtaret znj. Erisa Balliu dhe znj. Natasha Abazaj-Beda, si dhe znj. Pavlina Katiaj, doktorante pranë Fakultetit Ekonomik të Athinës.
Pjesëmarrëset në këtë Forum patën mundësinë e rrjetëzimit, diskutimit mbi mundësitë e zhvillimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të bizneseve, partneriteteve të reja në vendin amë si dhe përmirësimit të aspekteve të ndryshme të drejtimit.
Aktiviteti u moderua nga znj. Joana Zhonga nga Seksioni i Çështjeve Ekonomike, Tregtare dhe Turizmit të Ambasadës së RSH-së në Athinë.
? New York College – Në kuadër të vitit të Diplomacisë Ekonomike, Ambasada e RSH-së në Athinë, nën kujdesin e veçantë të…
Posted by Albanian Embassy in Greece – Ambasada Shqiptare në Greqi on Tuesday, April 11, 2023