“Kopshti i Dashurisë” në shpellën e mermertë në Gadime

Dy gurë ngrihen në formë sofatesh. Drejt njëri-tjetrit zgjaten Romeo dhe Zhulieta…


Nga Saliko Hodo

Është me të vërtetë një rast ideal të vizitosh “Shpellën e Mermertë” në Gadime. Shkon nga Ferizaj për në Prishtinë, pak kilometra pa hyrë në kryeqytetin e Kosovës, rruga që kthehet djathtas në Komunën Lipjan, të çon në Gadime.

Është interesante shpella e zbuluar në këtë fshat. Nuk ndodhet në thellësi. Një kodër shumë e butë shkembore që s’të jep asnjë përshtypje kur e sheh, fsheh brenda saj një pasuri natyrore përrallore.

Është zbuluar në vitin 1969. Ahmet Asllani, një banor i këtj fshati, po thyente gurë në shkëmbin mbitokësor për të ndërtuar shtëpinë e tij. Ju rrëzua qysqia në thellësi. Kur e kërkoi duke gërmuar rreth vendit ku ju zhduk, gjeti shenjat e para të shpellës. Tërë frikë,l a punën dhe informoi për çka kish parë. Filluan punimet dhe studimet për zbulimin e saj. Me të vërtetë, ne barkun e saj, ajo kodrinë qe nuk të bie në sy, fshihte një botë çudirash. Në vitin 1974 filluan vizitat e parë në këtë shpellë. Deri më tani janë te vizitueshme vetëm 1350 metra të saj. Temperatura e pandryshueshme, e perhershme është 16°C. Brenda saj jetojnë vetëm lakuriqët e natës.

Quhet shpella e mermertë sepse, në ndryshim nga çdo shpellë tjetër nentokësore,tavanet e saj janë të qendisura me një shumëllojshmëri kristalesh të mermerta. Stalaktitet dhe stalakmitet që zgjaten drejt njëra-tjetrës janë të mermerta. E çuditshme, por nuk ka kristale dhe stalakmite gëlqerore. Cili është shkaku? Megjithë studimet e kryera nga studiues më të mirë të botës, nuk ia kanë dhënë një shpjegim deri më tani.

Pasi hyn në shpellë,ndodhesh përpara “sallës së koncerteve”.Një mjedis i gjerë dhe i lartë në formë rrethore. Është emërtuar “salla e koncerteve” sepse ditën e inagurimit të saj aty është dhënë një koncert. Ishte e bollshme për të mbajtur në mjedisin e saj ansamblin me 30-40 kengëtarë si edhe një numër të konsiderueshëm vizituesish. Ka një akustikë të mrekullueshme.

Në vijim befasohesh përpara trupit të peshkut dhe të shqiponjës. Njëri duket sikur noton qetë,shqiponja ka hapur krahët për fluturim. Shqiponja, ky symbol i flamurit të kombit tonë,të përshëndet mirëseardhjen edhe në Shpellën e Mermertë të Gadimës. Kristalet e mermerta që formojnë trupin e tyre, rrezatojnë miliona xixëllima shumëngjyrëshë, sipas këndit të shikimit të vizitorit.

Kalimi është normal edhe për grupe vizitorësh 20-30 veta. Gjerësia dhe lartësia e saj janë të bollshme. Më tutje “pusi i fatit”. Kush dëshiron nga vizitorët hedh aty monedha sipas dëshirës. Ato kishin mbuluar fundin e pusit. Kthjelltësia e ujit të lejonte t’i shihje monedhat ne fund të tij. Hodha dhe unë një monedhë euro. Të kaloje pranë tij dhe të hidhje monedhë,do të thoshte te kishe fat. Mit apo e vërtetë, s’ka rendësi.

Çdo gje, çdo objekt i ndërtuar prej kristalesh mermeri,e kishte një emër.Pas “pusit të fatit”,ndodhej liqeni nëntokësor. Nga matjet e bera rezulton të jetë 500 m2. Por mendohet të jetë më i madh. Me të të lidh një vrimë e vogël komunikuese që nuk mund të zmadhohet pasi nuk të lenë shkëmbinjtë. Bëhet pengesë edhe themeli i shtëpisë së Asllanit. Këto kanë qenë dhe pengesa kryesore për të realizuar matjen e saktë të sipërfaqes së liqenit.Mendohet që vjetërsia e tij të jetë mbi 80 milion vjet.

Në vazhdim takohemi me mjekrën e Skënderbeut dhe formën e flamurit te tij që natyra e nëndheshme i ka skalitur me një durim mijravjeçar me kristale mermeri nga më të bukurat. Mjekra paraqitet madhështore,e dendur, e gjatë, plot fisnikëri. Pranë flamuri i betejave të tij, qëndisur po me atë merak e kujdes, por jo nga dora e ndonjë Marigoje e me penjë, por nga vetë natyra nëntokësore dhe me xixëllima kristalesh në ngjyrë diamantesh prej mermeri.

Ja dhe një nga surprizat më befasuese.Sa përcillesh me Skënderbeun dhe kthehesh djathtas,një bukuri e paparë të del përpara. Eshtë “Kopshti i Dashurisë” në qendër të të cilit janë Romeo dhe Zhuljeta.Sa bukur e kanë emërtuar!Menjëherë m’u kujtua kopshti i Zhulietës,kur Romeo ju kacavir mureve për të takuar atë. Më erdhën në mend vargje të shkëputur:

“Më thuaj si ke ardhur dhe përse?
Muret e kopshtit s’mund të ngjiten lehtë
…………………………………………………..
Po si e gjete,i dashur këtë vend?”…
Dhe Romeo i përgjigjet Zhulietës:
“Ajo që ma tregoi qe dashuria.
…………………………………………..
Me flatra dashurie i ngjita muret,
se dashuria s’njeh kufij të gurtë.”

Një kopsht ëndrrash ishte ky në shpellë. Të jesh i vetëm,nuk do ta besosh që je në një botë reale. Nga do të kthesh sytë, bukuri e paparë. Tavani i kopshtit (por edhe i gjithe shpelles),i zbukuruar me arogamite-kristalet me te rralla në botë të mermerta që ende nuk po shpjegohet si janë formuar. Ujet në tavan (mos u çuditni), nuk bie poshtë, por shkon lart dhe anash.E pabesueshme, por mjedisi i kopshtit ështe i veshur me bar në ngjyrë më të zënë se bari mbi tokë.

”Është formuar prej dritës artificiale”,- shpjegon ciceroni. Diku, në një pjesë të tij, dy gurë ngrihen në formë sofatesh. Drejt njëri-tjetrit zgjaten Romeo dhe Zhulieta. Njeri varte nga tavani, tjetra zgjatet drejt tij nga ndënjësja e njerit prej “sofateve”.

”Buzet” e tyre, siç i shikoni në foto, janë pak centimetra larg bashkimit, por një stërmundim i madh i pret që të shuajnë mallin e përvuajtur. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se ato “buzë” do të bashkohen me njëra-tjetrën pas 1 milion e 500 vjetësh. Atëherë do të ngjallen edhe Romeo e Zhulieta. Dhe e dini pse duhen kaq shume vjet? Sepse stalaktitet e mermerta zgjaten 1 mm në 30 000 vjet.

Shëtitja “në botën e çudirave” vazhdon.Pasi lëmë Romeon e Zhulietën në fatin e tyre në “Kopshtin e Dashurisë”, përpara një nëne të ulur me tre fëmijët rreth saj,kalojmë shputat e elefandit, pesë gishtat e dores së njeriut, syrin e kristaltë (të gjitha çka përmendim janë prej kristalesh mermeri), ndalemi përpara “Marigosë”. Me këtë emër e kanë pagëzuar një nuse të mermertë, të ulur në karrike mermeri duke qendisur flamurin kombëtar.

Më tutje,pasi kalon mushkëritë e duhanpirësve (thonë se shume vetë kur kanë parë ato mushkëri e kanë lënë cigaren), ndalesh përsëri në një moment të veçantë:gjuha e prerë e vjehrres prej nuses së saj.Ju i dini marrëdhëniet nuse-vjehrrë. Si mbi tokë,kish ndodhur edhe nen tokë. Vjehrra e mërziste vazhdimisht nusen. Folë me rast,folë pa rast. Folë me vend, folë pa vend. Folë me të drejtë,folë pa të drejtë. Dhe nusja i thotë vjehrrës: ”Vjehrrë! Të kam mamanë e burrit. Të dua e te respektoj,por folë më pak që të rrish rehat”. Vjehrra s’e pranoi ç’ka i tha nusja dhe vazhdonte avazin. Nusja i preu gjuhën dhe vjehrra rrinte ashtu me gjuhë të prere në një kënd të shpellës,pa mundur t’u fliste vizitorëve. Por ama mburrej se ishte veshur e tëra në kristale te argjendtta mermeri.

Kaluam kokën e kristaltë të elefandit dhe në dalje përsëri Heroi ynë Kombëtar kishte lënë si përcjellje përkrenaren e tij. Nuk ishte origjinale. Origjinalet i sollëm nga Viena për disa ditë në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Përkrenarja në Shpellën e Kristaltë të Gadimës ishte e mermertë. Nuk shkëlqente prej diellit, siç e përshkruan Gavril Dara për një nga heronjtë e tij, por vezullonte prej rrezatimit shumëmilionësh të kristaleve te mermerit që ishte qëndisur.

Po iu ra rasti,mos e humbisni shansin ta vizitoni Shpellën e Kristaltë në Godime.

* * *

Por… (shqiptarçe hesapi).

– U interesova çfarë mësojnë nxënësit në shkollë rreth këtij monumenti të veçantë në botë. Asgjë. Libri i gjeografisë vetëm sa e përmend si emër. Pse ky qendrim?

– Në gjatësi të kodrës brenda së cilës ndodhet shpella është nërtuar kanali i një ujësjellësi. Prej tij depërton lagështi në thellësi deri në shpellë, çka e dëmton.Pse ky qendrim?

– Unë kaq kam mundësi:ta publikoj për një rrjet shokësh e miqsh.

Kasa: 12 milionë turistë deri në fund të vitit

Turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe zhvillimit në vend.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Kasa: 12 milionë turistë deri në fund të vitit

Turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe zhvillimit në vend.