Resul Zani, gjirokastriti vizionar, i cili punoi me pasion e përkushtim për Përmetin

Këshilli Bashkiak i Përmetit para 20 vjetësh e ka nderuar Resul Zanin me titullin e merituar “Qytetar Nderi”.


Nga Ing. Ibrahim Emiri

Me Resul Zanin kemi qenë bashkëlagjas autoktonë në Gjirokastër, prandaj raportet tona miqësore familjare ishin të herëshme. Kur erdhi në Përmet me funksionin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit unë isha i emëruar si inxhinier-arkitekt në zyrën e urbanistikës e projektimit. E mirëprita ardhjen e tij, jo vetëm si një mik të mirë, por edhe si një drejtues me përvojë e me vizion, i cili me siguri do të bënte punë të mira për zhvillimin e rrethit.

Kurse ai u gëzua që më gjeti në Përmet, jo vetëm si bashkëlagjas të hershëm, por sidomos si një bashkëpuntor të nevojshëm për realizimin e projekteve të ardhëshme urbanistike e dërtimore.                                                                               

Prej kujtimeve të shumta që kam në bashkëpunimin e frytshëm me Resulin për projekte të ndryshme në Përmet, po shkruaj shkurtimisht për dy prej tyre :

Kompleksi arkitektonik “Hyrja e Qytetit”

“Mendo ndonjë variant të bukur për hyrjen e qytetit. Ta heqim atë murin, që të krijon ndjesinë e përplasjes me të, sapo kalon urën, kur hyn në qytet me makinë!” – më porositi Resuli, i cili sapo ishte emëruar kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.                                                              
Në hyrjen e qytetit Përmet prej 20 vitesh ndodhej si barierë një mur mbajtës me lartësi maksimale rreth 9 m, i ndërtuar qysh më 1963 me punimet e kryera për sistemimin e qytetit.                                  

Idea e Kryetarit për heqjen e murit ekzistues, si dhe krijimit të një hapësire funksionale e estetike në hyrje të qytetit ishte shumë interesante, por vendimi, që duhej të merrej për realizimin e saj, nuk ishte aspak i lehtë.

Muri ekzistues mbante një masiv të madh dheu, që përfundonte në një rafshinë, ku ndodheshin disa banesa përdhese. Pamja e atyre banesave të rëndomta kur vije afër urës e shëmtonte akoma më shumë hyrjen në qytet. Vendimi që duhej të merrte Resuli për realizimin e idesë së tij ishte tepër i vështirë, sepse heqja e murit, për të zgjeruar hapësirën përballë urës, kërkonte:

– spostimin dhe strehimin e rreth 15 familjeve, të cilat banonin shtrënguar në banesat përdhese,

–  kryerjen e një volumi  të madh pune për gërmimin e spostimin e masivit të dheut e shkëmbit, për të cilën duheshin disa makineri gërmimi e transporti, të cilat Përmeti nuk i dispononte                                                          

– kryerjen e një volumi të madh punimesh mur guri sipas projekt-idesë, që kërkonte shumë specialistë, si për gdhendje, ashtu edhe për ndërtim, etj, etj.              

Kjo sipërmarrje e madhe me një kohë mjaft të kufizuar për përfundimin e punimeve e përurimin me rastin e 40 vjetorit të Kongresit të Përmetit, ishte realisht jashtë mundësive të rrethit.

Ia bëra të qartë Kryetarit të gjithë vështirësitë e problemet, që duheshin zgjidhur, sepse nuk doja që ai, i nisur nga dëshira e mirë, të merrte një vendim të nxituar e pastaj të ndodhej para faktit të kryer e të papriturave të pa këndëshme.

Si mik familjar i Resulit natyrisht doja që ai të ishte i nderuar me punën pasionante, që bënte për Përmetin.

Sigurisht, edhe ai donte të bindej plotësisht, para se të merrte vendimin, prandaj me ftesën e tij erdhën në Përmet prof.dr. Farudin Hoxha – ministër i ndërtimit dhe ark. Klement Kolaneci – drejtor i ISPUA.

Ata e mbështeten plotësisht idene e transformimit të hyrjes së qytetit dhe Resuli vendosi përfundimisht për të realizuar “Hyrjen e qytetit”, si zgjidhje unikale urbanistike e arkitektonike.

Kompleksi arkitektonik “Hyrja e Qytetit”, si dhe mini-parku qëndror në vazhdim në pjesën e sipërme të tij, duheshin realizuar duke kryer një “ndërhyrje kirurgjikale“ urbanistike e ndërtimore të guximshme për atë kohë.

Ishte meritë e pa diskutueshme e Resul Zanit, i cili pa hezitim miratoi projekt-idenë, siguroi financimin e nevojshëm dhe me vendosmëri  organizoi punën me aksion për të realizuar me sukses ate kompleks arkitektonik i cili u përurua në maj të vitit 1984, pra plot 39 vjet më parë.

Pamje të kompleksit arkitektonik “Hyrja e qytetit”

Në atë kohë në Përmet u ndertuan edhe disa objekte banimi e ekonomike si dhe mjaft objekte social-kulturore, si Mapo – PTT, Palestra e sportit, Restoranti familjar, Bar-lulishte, rikonstruksioni i Shtëpisë së Kulturës dhe mjaft punime për sistemim-gjelbërimin e qytetit.

Për realizimin e tyre brenda afateve të planifikuara Resuli siguroi edhe ndihmën e drejtuesve të rrethit Gjirokastër, të cilët e mbështetën miqësisht bashkëqytetarin e tyre të mirë me mjaft specialistë e materiale.

Por, realisht realizimi i tyre u bë i mundur, jo vetëm në saje të punës e përkushtimit të personelit inxhiniero-teknik, specialistëve e puntorëve, por edhe në saje të bashkëpunimit e mirëkuptimit midis Resul Zanit, si kryetar komiteti dhe Xhemal Dautit, si sekretar i parë.

(Ndërsa pasardhësi i Xhemalit në Komitetin e Partisë, jo vetëm nuk e mbështeti Resulin në punën e tij vizionare, por u bë pengesë, duke i vonuar në kohë disa projekte, si vazhdimi i bulevardit përtej urës së Përroit të Bardhë, ndërtimi i bar-restorant “Kupola”, etj.)

Bar-restorant “Kupola”

Në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Vjosa, përballë me qytetin Përmet, shtrihej plot gjelbërim parku rekreativ i qytetit. Për ta bërë më funksional e më atraktiv ate park, me porosi të Resul Zanit u parashikua ndërtimi i një objekti bar-restorant. Meqenëse ai objekt duhej të ishte unikal, pasi prezantonte qytetin qysh në hyrjen e tij, u vendos që për projektin e tij të organizohej një konkurs, në të cilin të mund të merrnin pjesë të gjithë projektuesit e rrethit.

Këshilli teknik pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, pasi i shqyrtoi të gjithë variantet e paraqitur nga pjesëmarrësit në konkurs, unanimisht vendosi të miratojë variantin, që më pas u quajt “Kupola”. Në atë variant rëndësi e veçantë iu kushtua pozicionimit të objektit në park, në mënyrë që ai të ishte sa më i dukshëm nga zona të ndryshme të qytetit, prandaj qendra e objektit u caktua pika e intersektimit të tre akseve të rrugëve tërthore e njëkohësisht radiale të qytetit.

Për tu përshtatur maksimalisht me parkun e shlodhjes, për tu harmonizuar sa më mirë funksionalisht dhe estetikisht, u vendos që forma më optimale e objektit të ishte ajo cilindrike, ose tip “rotondo”. Me kërkesën permanente të Resulit hartimi i projektit me të gjithë komponentët e vet kompleksë, si arkitektura e konstruksioni, instalimet e interieret u realizua në kohë rekord.

Për të bërë të mundur përfundimin e vënien në shfrytëzim të objektit brenda afatit të caktuar, ndërmarrja e ndërtimit e filloi zbatimin e punimeve me projekte pjesore, akoma pa përfunduar plotësisht projekti përfundimtar, duke paraprirë me montimin e strukturave b/a vertikale.

Pikërisht në atë kohë, me arsyetimin e vështirësive ekonomike të shtetit, u ndërprenë financimet për disa projekte tregtare e social-kulturore në vend, midis të cilëve edhe për objektin “Kupola”. Resuli u shqetësua shumë dhe nuk donte kursesi ta linte të pa përfunduar objektin e nisur.

Këmbëngulja dhe përpjekjet e tij ishin maksimale në qeveri e deri tek kryeministri për sigurimin e financimit të plotë për vazhdimin e ndërtimit dhe përfundimin e objektit me gjithë interieret e arredimin brenda afatit, si dhe përurimin e tij më 24 maj 1989.

“Kupola”, megjithese u realizua tërësisht me mundësitë e kufizuara materialo-teknike, që dispononte vendi në atë kohë, u vlerësua me “Çmim të Parë – për harmonizimin e arkitekturës me artet e aplikuara”, në Konkursin Kombëtar me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtimi nazi-fashist.

“Kupola” me imazhin urban u konsiderua si një nga simbolet e Përmetit, prandaj për shkatërrimin e saj në shtator të vitit të kaluar pati reagime të shumta, që shprehnin indinjatën dhe shqetësimin mbarë qytetar përmetar. Në dy shkrime të gazetarit Kristo Mërtiri në shtypin periodik, si dhe në reagimet e disa personaliteteve të kulturës dhe qytetarisë përmetare në rrjetet sociale akti i shëmtuar e barbar i shkatërrimit u dënua me mjaft forcë.

I ndjeri Resul Zani, po të ishte gjallë, me siguri do të revoltohej e do të qe ndër të parët që do të reagonte ashpër kundër atij shkatërrimi të çmendur.                                                                                               

Në librin tim “Mbresa të një projektuesi”, botuar para dy vitesh, e kam dhënë opinionin profesional për të ardhmen që mund të kishte ai objekt në kushtet e reja të kohës:

“Pas periudhës 30 vjeçare të shfrytëzimit primitiv e sidomos të braktisjes, “Kupola“ me vlerat unikale të saj natyrisht që ka nevojë për rikonstruksion e rivitalizim, në përshtatje me kërkesat e reja dhe mundësitë e mëdha materialo-teknike të kohës. Së bashku me një prej studiove më prestigjoze të arkitekturës kemi përpunuar një projekt-ide për rivitalizimin e atij objekti, duke përshtatur e shtuar edhe hotelerinë, sipas kërkesave bashkëkohore.”                                  

Fatkeqësisht ky opinion profesional nuk u vlerësua, ndërsa u bë fakt i kryer shkatërrimi i saj, duke shpërfillur brutalisht edhe opinionin e qytetarisë përmetare.

Resul Zani, ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit në periudhën 1982-1989, me vizion e pasion të veçantë, punoi me përkushtim për ta transformuar Përmetin në qytet me vlera urbanistike e arkitektonike. Ai e dashuroi Përmetin dhe e kujtonte vazhdimisht me nostalgji atë. Përlotej sa herë që shkonte për vizitë në atë qytet, ku takonte përmetarët, që i donte dhe e donin.

Këshilli Bashkiak i Përmetit para 20 vjetësh e ka nderuar Resul Zanin me titullin e merituar “Qytetar Nderi”.

Fatmirësisht Përmeti tashmë është duke u bërë një atraksion me interes turistik dhe për këtë zhvillim pozitiv nuk mund t’i mungojë qytetarisë përmetare mirënjohja edhe për kontributin e veçantë të Resul Zanit. Nderim kujtimit të Tij!

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…