Kur karikatori i klikimeve vret më shumë se ai i pistoletës!

Mediat duhet të respektojnë dinjitetin dhe privatësinë e viktimës dhe familjeve të tij


Nga Lutfi Dervishi

Fillimisht u publikua një fotografi nga vendngjarja ku shfaqej momenti i fundit i përballjes së një biznesmeni me vrasësin e tij pak sekonda para se të qëllohej me shtatë plumba.

Edhe pse transmetimi i pamjeve të tilla të lenë pa pyetje, ajo që të bën habi është: A ishte i nevojshëm publikimi i kësaj fotografie nga një skenë tragjike dhe për çfarë mund t’i shërbente publikut?

Gjithësesi, ky imazh doli shpejt jashtë loje sepse u pasua nga publikimi i videos së atentatit, si nga media tradicionale, ashtu edhe nga portalet apo rrjetet sociale që kryesisht tymin e zjarrin i kanë ushqim të preferuar.

Viktima e parë e drejtpërdrejtë janë familjarët e viktimës të cilët përveç dyerve të mortit që i ka gjetur të mpirë, duhet të hapin edhe dyert e pritjes së marrëzisë.

Dreqi ta hajë, e kemi një kod të sjelljes me të vrarin në respekt të viktimës dhe të afërmve në zi, e kemi një kod njerëzor, e kemi një Kod Etike se si duhet raportohet profesionalisht në të tilla raste fatkeqësish apo tragjedish.

“Mediat duhet të respektojnë dinjitetin dhe privatësinë e viktimës dhe familjeve të tij duke pasur prioritet jo veç informimin publik, por edhe mirëqenien e tyre.”

Në kapitullin për fatkeqësitë Kodi Etikës, sugjeron:

“Gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet t’i raportojnë këto tema duke treguar simpati dhe vetëpërmbajtje. Në rast ..fatkeqësish, gazetari duhet të respektojë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjeve të tyre”.

Po aq viktimë e publikimit të videos mund të jenë edhe shikuesit që janë të ndjeshëm ndaj dhunës dhe traumës.

Kodi i Etikës e shkruan e zeza mbi të bardhë që dhuna apo brutaliteti nuk duhen sensacionalizuar dhe media duhet të tregojë ndjeshmëri dhe vetëpërmbajtje.

Por viktimë e publikimit të videos mund të jenë edhe ata që mendojnë se kanë “stomak të forte” dhe nuk u bën përshtypje çdo skenë që shohin sikundër edhe ata që nuk e kanë parë videon. Madje këtu dëmi mund të jetë edhe më kriminal:

“Regjia e lëkurës”

Ekspozimi i publikut me pamje të dhunës me kalimin e kohës çon në humbjen totale të ndjeshmërisë, e asaj pak që na ka mbetur.

Asgjë më nuk të bën përshtypje dhe në vend të reagimit dhe kërkimit të përgjegjësive ndodh krejt e kundërta… rritet toleranca ndaj dhunës.

Ndërkohë, plaga tjetër që i hap shoqërisë është normalizimi i dhunës.

Mediat që promovojnë dhunën, veçanërisht në një këndvështrim sensacionalist, mund të kontribuojnë në normalizimin e saj dhe sjelljes agresive në shoqëri.

Vritet një njeri me shtatë plumba në mes të ditës në një vend publik dhe po atë ditë ekzekutohet një djalë i ri nga një tjetër adoleshent. Këto ngjarje tragjike që kërkojnë reflektim, diskutim dhe marrje masash, kalojnë thjesht si ngjarje të rëndomta që priteshin të ndodhnin.

Kopjimi

Prej vitesh tashmë e kemi provuar se raportimi i pakujdesshëm në ngjarje ekstreme nxit përsëritjen e tragjedisë në një fotokopje tjetër.

Nuk përjashtohet mundësia që në një ditë tjetër, një tjetër person i veshur si postier, me një motorr me targa të huaja të bëj atentatin e radhës. Skenat e sjelljes fotokopje në rastet tragjike i kemi të freskëta nga periudha e Covid-it, ku raportimi me detaje i tragjedisë çoi në rritjen e numrit të viktimave.

Ankthi

Kur mediat tradicionale apo të reja publikojnë raste dhune, është provuar tashmë rritja e gjendjes së frikës dhe ankthit në popullatën e përgjithshme.

Bërja titull i parë i çdo aksidenti që nga ai i “përplasjes me biçikletë” deri te “atentatet me marrje jete”, krijojnë idenë se në këtë vend nuk ndodh asgjë që ja vlen të raportosh veç vrasjeve apo atentateve.

Jo pa qëllim në Kodin e Etikës së gazetarëve shqiptarë tek kapitulli “krimi dhe dhuna”, theksohet se “produktet mediatike që propagandojnë luftë, dhunë, zemëratë, apo lëndojnë ndjenjat e gjithë publikut, janë rreptësisht të ndaluara. Dhuna dhe brutaliteti nuk duhen sensacionalizuar”.

Atëherë, pyetja që shtron kushdo është se pse gazetarët dhe media nxitojnë të publikojnë rastë të tilla?

Beteja për vëmendje

Një betejë e padukshme, me viktima të padukshme po zhvillohet me egërsi në mjedisin digjital për të tërhequr sa më shumë shikues, lexues, përdorues me shpresën se nga rritja e interesit do të rriten në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe të ardhurat.

Cila është rruga më e shkurtër? Lajmi sensacional, provokues, dhe mundësisht sa më shumë të “pikojë gjak” lajmi, aq më shumë pikojnë klikimet.

Kështu i do audienca…që vetë media ka edukuar!

Kur ka një krizë apo ngjarje tragjike, instiktivisht ka një kërkesë më të madhe për informacion.
Njerëzit vetiu janë më të interesuar për të mësuar çdo detaj që lidhet me ngjarjen. Përpijnë me shpejtësi çdo gjë: informacion, thashetheme, llafe katundi, përralla dhe deri video të dhunshme.
Por edhe në këtë pikë media nuk është pa mëkate, pasi justifikimi se “ne ofrojmë çfarë kërkon audienca” është i ndërlidhur me vetë edukimin kriminal që media i ka ofruar audiencës ndër vite duke prodhuar këtë infeksion gazetaresk.

Raportimi i shpejtë dhe transparenca

Në disa raste gazetarët mendojnë se është e rëndësishme që t’i jepet publikut informacion i shpejtë, i saktë dhe i detajuar edhe pse ngjarja mund të jetë traumatike. Në jo pak raste, familjarët e viktimave kanë mësuar tragjedinë nga ekrani i televizionit ende pa u ftohur gjaku i të vrarit.

Lajmi

Për reporterët veçanërisht ata të kronikës së zezë, një ngjarje e madhe në territorin e tyre i rrit adrenalinën. I duket se lajmi është i paplotë nëse nuk arrin të sigurojë pamjet nga kamerat e sigurisë. Madje togfjalëshi “kamerat e sigurisë”, mbetet ai më i përmendur në lajmet e kronikës së zezë.
Konkurrenca

Mediat operojnë në një mjedis ku konkurrenca është e egër dhe presioni për të publikuar pamje “ekskluzive” apo për të qenë i pari në gjithçka është shumë i madh.

Beteja këtu nuk është më për publikun, por për të mundur rivalët.
Është e vërtetë se në kohën e rishkrimit të Kodit Etikës (viti 2016), rrjetet sociale nuk kishin këtë vend, këtë rol dhe këtë hapësirë që kanë sot por ama parimet bazë pavarësisht zhvillimeve të shpejta teknologjike, mbeten të njëjtat.

Në një kohë kur çdokush prodhon “lajme” sepse ka një celular në dorë, rëndësia e medias dhe e gazetarëve vjen duke u rritur. Prej vitesh ka një term të ri që synon t’i hapë sytë publikut karshi medias: Edukimi mediatik.

Ofrimi i edukimit mediatik për publikun, veçanërisht për të rinjtë, mund t’i ndihmojë individët të bëhen konsumatorë më kritikë të medias dhe më të aftë të njohin dhe kuptojnë dëmin e mundshëm që mund të shkaktojnë pamjet me dhunë.

Standarte dhe udhëzime të qarta

Kodi etik është krejt i qartë, madje mund të konsiderohet më shumë se ç’duhet i detajuar. Çdokush, aq më tepër gazetari si çdo njeri, thellë në vetvete e di se çfarë është më e mira. Këto udhëzime duhet të marrin parasysh dëmin e mundshëm për popullatat e cënueshme dhe të ofrojnë udhëzime se si të minimizohet dëmi.

Vetërregullimi

Ka një përpjekje për vetërregullim. Mbikqyrja nga vetë profesionistët për rastet e papërgjegjshme të përdorimit të përmbajtjes së dhunshme mund të çojë jo vetëm në minimizimin e dëmit, por edhe bashkëpunimi me profesionistët e shëndetit mendor.

Sado paradoksale të duket, të vetmit organ të trupit që nuk i kushtojmë vëmendjen e duhur është truri. Mediat mund dhe duhet të bashkëpunojnë me profesionistë të shëndetit mendor për këtë sfidë.
Kush më mirë se ata mund të ofrojë informacion jo vetëm për individët që mund të preken nga pamjet e dhunshme, por mund të ndihmojnë edhe gjithë popullatën.

Përgjegjësia

Në fund të fundit, është përgjegjësi e mediave që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme kur bëhet fjalë për publikimin e pamjeve të dhunshme.

Edhe në rastet kur vendoset se ka një interes publik për transmetimin/publikimin e tyre kjo shoqërohet me paralajmërim për audiencën dhe mbulim të pamjeve ekstremisht shqetësuese.

Jetojmë në epokën e klikimeve

Në rastin e pamjeve të dhunshme, “uria” për më shumë klikime mund të çojë në mungesë totale respekti për viktimat dhe familjet e tyre, pasi mbi etikën dhe gazetarinë e përgjegjshme merr përparësi klikimi dhe për pak vëmendje/para më shumë – harrohet njerëzillëku.

Udhëzimi i lashtë etik vlen edhe në epokën e TikTok mos i bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjnë ty.

Dhe ironikisht ka ndodhur që vetë gazetarët e kanë provuar çfarë do të thotë raportim jo etik në rastet e ngjarjeve tragjike ku janë përfshirë familjarët apo të afërmit e tyre.

A do të bëhet me mirë?

Shpresa vdes e fundit, por rruga drejt së mirës do të jetë mjaft e gjatë, e vështirë, por jo e pamundur.

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…