Alibeaj: Berisha kërkon ta kthejë PD-në në bunker antiamerikan
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot kandidaten për bashkinë e Fierit, Eriselda Zotaj Çelaj.
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot kandidaten për bashkinë e Fierit, Eriselda Zotaj Çelaj.
“Eriselda është një fierake 24-karatëshe dhe një demokrate 24-karatëshe. Kur kombinohen këto të dyja bashkë, Fieri mund të shohë larg, mund të shohë në 2030-n. Jam njohur me planin ambicioz të kandidates sonë për Bashkinë e Fierit dhe kam mbetur i mrekulluar nga vizioni i saj”, tha Alibeaj.
Por, u shpreh Alibeaj, kjo betejë nuk do të jetë e lehtë.
“Sepse Partia Demokratike e të gjithëve ne, Partia Demokratike që drejtoj, gjendet, prej një viti e gjysmë, nën një sulm të pareshtur. Partia jonë po goditet nga ish-lideri i saj historik, po goditet nga Sali Berisha. Pse na godet? Të gjithë e dimë hallin personal të tij, shpalljen non grata për inkurajim të korrupsionit madhor dhe minim të demokracisë nga aleati ynë më i madh perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej fundit të korrikut është shpallur non grata edhe nga një aleat tjetër yni, Britania e Madhe. Pra e kanë shpallur non grata, personalisht dhe familjarisht, të majtët e Amerikës dhe të djathtët e Britanisë. Sepse në politikën e jashtme, të majtë e të djathtë, në vendet demokratike serioze, janë të unifikuar”, u shpreh Alibeaj.
Alibeaj deklaroi se Sali Berisha ka tri motive për këtë sulm të pashembullt ndaj partisë.
“Së pari, ai kërkon ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker antiamerikan, për t΄u mbrojtur nga veprimi i drejtësisë për akuzat që i janë bërë nga aleatët tanë të mëdhenj. Së dyti, kërkon të marrë monopolin e opozitës dhe, duke bërë këtë, të vazhdojë t΄i japë oksigjen qeverisë së Edi Ramës. Së treti, e sulmon partinë tonë për të krijuar një lëvizje anti-amerikane në Shqipëri. Ai e quan lëvizjen e tij sovranizëm, përdor sloganin “Shqipërisë i dalim zot”; por të gjithë e dimë se shtetet europiane e kanë deleguar sovranitetin te NATO dhe Bashkimi Europian. Në rast lufte nuk na del zot Sali Berisha dhe ata që i shkojnë pas, por NATO, sipas nenit 5 të traktatit të saj. A mos e ka fjalën Sali Berisha se i del zot Shqipërisë kundër Amerikës?”, deklaroi ai.
Sipas Alibeajt, për t΄i arritur qëllimet e veta që bien ndesh me ato të Partisë Demokratike, Sali Berisha bashkëpunon edhe me Ilir Metën edhe me Edi Ramën.
Alibeaj paralajmëroi rioganizim të partisë.
“PD pas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi kapilar për zgjidhjen e organeve drejtuese të saj, duke iu futur një procesi të gjerë demokratik me rregulla të reja, me parime të reja, për ta lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë nga e kaluara e për të bërë një hap të ri, për ta lënë pas gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes dhe për të mundësuar ndërtimin e një aleance me shumë potencial për vitin 202”, deklaroi ai. /ATSH