Ermir Dizdari, magjia e dirigjimit!
80-vjetori i dirigjentit të madh durrsak, emblemës së pentagramit
Nga BUJAR QESJA, “Mjeshtër i Madh”
26 prill 2023! Ditë e zakonshme, në fundin e muajit të dytë të pranverës së dytë. Por për Ermir Dizdarin, është ditë e veçantë. Frymëmarrja e tij është në vitin e 80-të nga dita e nisjes. Lartësi jo e vogël jetësore. Për të mbushur njëqindëshin, Ermirit i duhen edhe 20 vite jetë për të kapur urimin e lashtë popullor: “U bëfsh 100”!
Më tërhoqi vëmëndjen, thënia e kompozitorit të njohur Ylli Ramzoti. “Kënaqësi të festosh 80-të vjetorin, në mes miqsh dhe veprave”. Po Ermir Dizdari, fatlum që kur kujton 960 muajt e jetës tënde, ndodhesh i rrethuar nga miqtë dhe shokët, nga artëdashësit durrsakë, të cilëve u shërbeve me pasionin e shpirtit dhe me ndjeshmërinë e zemrës!
U bë një festë për ty sot në Durrës. U lexuan shumë përshëndetje. T’u dhanë jo pak vlerësime. Oratorë me letra në duar, lexonin në publik atë që kishin përgatitur. Mjedisi ku ta përkujtuan 80-të vjetorin e lindjes, m’u duk si fidanishte ku lulet më të bukura ishin mbledhur për ty. Dhe në tërë këtë kuvend festiv, shëndriste si zjarr buzëqeshja e jote, dilte në pah mirësia e jote dhe trupi i përkulur deri në bel përshëndeste, e përshendeste.
Isha ulur diku në atë sallë, ku kam dorëzuar një pjesë të jetës time. Dhe të vështroja me sytë e memories. Fare i ri, t’u dorëzua të drejtoje operën “Bijtë e Skëndërbeut”. Dhe m’u çfaqe si drejtues gjigand, që me shpatën e fuqishme të dirigjimit, udhëhiqje kalorësit e interpretimit drejt betejave të përkryera muzikore. Nuk dua të shpërdoroj emrin e heroit tonë kombëtar, por ti në skenë ishin një Skëndërbe i muzikës, ku kalërove me fuqinë e dirigjimit në mjaft skena.
Ermir Dizdari! Vështroj emrin tënd dhe kap të veçantën. Erë e mirë = Ermir. Ti u bëre dhe mbete era e mirë e dirigjimit, e atij dirigjimi që e vendos në historinë e kulturës dhe artit durrsak. Trupi yt i brishtë, me fuqinë kolosale të saktësisë së trajtimit të notave muzikore, nxirrte në pah magjinë e një shpirti të madh, të pasionit dhe vullnetit të patjetërsueshëm, për të bërë art, për të bërë muzikë, për të dhënë gjithnjë të freskët fuqinë e talentit të madh dhe fatmirësisht të pazbehur.
Lule për ty Ermir, nga 16 fluturat e orkestrës, veshur me ngjyrën e pastër të gjakut. Lule nga Sigal Unik Austria që merr nder nga nderi yt. Lule që vijnë nga Amerika, nga Marita jote e pandarë, nga…, nga…
Ti sot Ermir Dizdari u ktheve në një buqetë gjigande, ku era e mirë e emrit tënd Ermir, pushtoi jo vetëm sallën, por tërë Durrësin.
80 vitet e tua, janë nga pak edhe tonat. Janë tonat, se të kemi patur pranë gjithë kohën, ke qenë, je dhe do të betesh gjithnjë miku ynë i mrekullueshëm, ku komunikimi i qetë si bunaca e detit, e folura me elekuencë dhe e urtë, mendimi i mënçur, kultura e gjërë, qetësia që ngjason me mbrëmjen plot yje, e ecura sikur po interpreton ëmbël një partiturë, përbëjnë shembullin e njeriut më të “thjeshtë se vetë thjeshtësia” siç u shpreh oratori.
Punë, punë, punë! Pasion, pasion, pasion! Vullnet, vullnet, vullnet! Tri shtylla, ku qendron themeli i 80-të viteve të asaj që quhet jeta e jote. Sa shembull rrezaton! Leksion i gjallë qytetarie, kulture dhe vetëdije, me ngjyrën me fuqinë e artit dhe mënçurisë njerëzore që të shoqëron. Ndonëse po tentoj, por mbetem shumë i varfër në gjuhën që meriton të etiketohesh në këtë ngjarje, që drejtë me thënë të vendos në lartësinë e një deliri të merituar.
Vrapo nëpër festivale, jashtë dhe brenda vëndit. Shqiptarët përtej kujfijve, autoktonë në tokat e tyre të kanë idhull. Po ku e kishe gjetur atë violinist me emrin Ermal Sinamati, që e kujtoi gjyshin e tij me atë solo me violinë kushtuar “Të falem o i bukuri Durrës”! U fol jo pak, për të mos thënë borxhi ndaj teje mbetet i madh. Është moral ky borxh, ku t’i pa dyshim mbetesh “oligark” potencial i artit dhe i kulturës. Me atë trup plot hijeshi dhe finesë, shkopi i dirigjientit më duket si shkopi që vë në lëvizje tërë botën, duke e rrotulluar me aq kujdes, rreth pasionit dhe vullnetit të jashtëzakaonshëm ndaj profesionit.
Nga “Bijtë e Skëndërbeut” drejt “Shërbëtorja Zonjë” e Pergolezes. Dhe të dyja ja dhurove Durrësin tënd, që as nuk të harron, por as edhe e harron. Shkoi vonë, e ditës tënde të 80-të vjetorit i kanë mbetur edhe pak orë. Nxitoj për ta publikuar këtë urim, që mbetet nderimi më i madh që të jep një shok, një mik, një bashkëpunëtor, një përkushtues ndaj punës dhe artit tënd, që mbetet gjithnjë në mrekullinë e interpretimit.
Dua të më kapë urimin tim, dita natyrale dhe e bekuar e lindjes. Prandaj këtij formulimi po i vjen fundi i gërmave. Dua ta mbyll këtu, për të hapur urime të tjera në përvjetorë të lindjes, ku padyshim fuqia e artit dhe kulturës tënde, do të shohin vetëm ngritje deri në qiell..
Ermir Dizdari, fuqi dhe magjia e dirigjimit! Urime!
Bujar Qesja
Durrës: 26 prill 2023