Vrasja e Demonit!
“Unë helmova Demonin moj bijë, atë që kish zaptuar shpirtin dhe mëndjet tuaja”
Nga Mimoza Prifti
Një fjalë e urtë e indianëve vëndas thotë : ” Më trego një fakt dhe unë do ta mësoj atë; më trego një të vërtetë dhe unë do ta besoj atë. Por në se më tregon një rrëfenje të vlefshme atëherë do të jetojë me mua përjetë”.
Me kafen e ngrohtë duarve dhe aparatin fotografik qafës, mëngjesi i sotëm më gjen tek “Kafe Natyra”.
Pas një luleje, pas një fluture. Pas cicerimës, pas valës së lumit, pas rrezes së parë të Diellit. Unë, manarja e përjetshme pas tyre.
Mes luleverdhave pranverore, një grup i apasionuar pas fluturave dhe fotografisë. Japin e marrin me fotot, japin e marrim me lulet dhe fluturat.
Nuk mund të largohem prej tyre pa u “rrembyer ” rrëfenjën e artë. (I adhuroj historitë e të moshuarve, filozofinë dhe mencurinë që transmetojnë).
– Më tregoni dicka të vecantë e mbesëlënëse nga jeta juaj, u drejtohem të gjithëve njëherësh. Një histori, një detaj a një thënie, dicka që unë ta marr kujtim prej jush.
Dhe….fjalën e merr Chan, zotëria më i moshuar.
-Zonja përballë teje moj Bijë, zonja me bluzë mente, është Lu.
Me Lu-në u njohëm në bankat e shkollës. U dashuruam marrëzisht, marrëzisht duhemi dhe sot. Unë dhe Lu kemi vetëm nje djalë. Kur martuam djalin, Diejt e lumturisë zbarkuan shpirtrave tanë.
Por, lumturia nuk zgjati shumë. Nusja dhe Lu nuk e gjetën gjuhën me njëra tjetrën. Nusja bërtit e Lu që ulërinte akoma më shumë. Ajo sha e kjo rrëke një mijë mallkime. Ajo perplas dyert e kjo fytyrës së saj gjithcka i vinte në dorë. Ajo filloi të urrejë të shoqin (djalin) për nënën e tij të vështirë. Lu nuk mjaftonte me kaq por pafund I kanosej të birit për nusen e paudhë që u kish sjell në derë. Kaluan vite, sherri e shamata këmbëkryq mbreteruan pragut tonë. U tretën shpresat për fëmijë, për një pasardhës. Qetësia dhe dashuria harruan të trokasin në jetët tona. Të katërt ishim kaq të lodhur e të rrënuar, të humbur drejt një udhe pa krye.
Pikërisht atëherë, nusja vendosi të largohet tek prindërit e saj. Prindërit e këshilluan të hidhte një tjetër hap. Me ndihmën e tyre takoi ” plakën misterioze ” që me bimët e përpunuara shëronte mbarë njerëzinë.
Vajza i tregoi hallin dhe me lotë në sy kërkoi ndihmën e saj në eleminimin e prindërve të të shoqit; vetëm kështu do të mund të jetojnte me djalin që donte, të shtonte gjakun e ta gëzonte atë.
– Mirë moj vajzë, i thotë plaka. Bimët që do të të jap, do ti përdorësh për kohë të gjatë , 6 muaj deri në një vit. Askush nuk do ta kuptojë helmin që ti po u injekton trupave të tyre. Kur të ikin nga kjo botë, largimi i tyre do ti përngjajë një largimi natyral. Ndërkohë, Ti duhet të ruash qetësinë. Të tregohesh shumë e matur, e dashur dhe e lumtur pranë tyre.Vetëm kështu ikja e tyre do të quhet natyrale.
Kështu u tha e kështu u bë. Nusja qeshte nga mëngjesi në darkë, dhe Ne pleqtë pa vetëdije pinim cajrat e përgatitura prej saj. Lu tepër konfjuze nga kjo sjellje, dha e dha por më pas heshti. Filluam ta falënderojmë nusen për buzëqeshjen dhe kujdesin e saj. Djali filloi të lumturojë e sërish të ndjejë aromën e familjes. Kaluan muaj të tërë e në familje nuk u dëgjua më shamatë. Nusja harroi zënkat ndërsa Lu flaku tej urrejtjen, hapi shpirtin e filloi ta dojë si vajzën e saj. Në krye të vitit nusja lindi djalë, dhurata e artë që Zoti solli mes nesh.
Muaj më pas, Nusja së bashku me nipin u largua për tek prindërit . Nuk vonoi të takojë as “magjistaren” e famshme.
– Të lutem më ndihmo tu largojmë helmin nga trupi, të lutem lëri pleqtë të jetojnë për nipin e tyre. E duan aq shumë, janë të marrosur pas tij. Cuditërisht dhe mua po më duan si asnjëherë më parë. Im shoq është i lumtur, kemi kohë të gjatë pa fjalë e grindje mes nesh. Të përgjërohem, më përgatit dicka që tua largojmë helmin.
Plaka i hodhi krahun supeve e lehtë i pëshpëriti veshit:
– Unë helmova Demonin moj bijë, atë që kish zaptuar shpirtin dhe mëndjet tuaja. Barnat që të dhashë ishin barna për shëndet më të mirë, për mëndje më të kthjellët e gjumë më të qetë.
Sepse cdo problem zanafillën e ka tek mendja : Ne i krijojmë konfliktet, dhe vetëm Ne mund ti zgjidhim ato.
Mendimi, sjellja e diktuar prej tij, bën ndryshimin. Mëndja është guzhina ku prodhohen e gatuhen dashuria dhe urrejtja, mirësia dhe ligësia , respekti dhe arroganca. Një guzhunier i mirë, gjithmonë, di të gatuajë e ti servirë lumturinë familjes së tij.
Përqafoj tepër miqësisht Lu dhe Chan, duke u uruar jetë të gjatë e vetëm ditë të bardha pranë djalit, nuses dhe nipit. Largohem prej tyre me buzëqeshje shpirtit, me premtimin se do ta hedh në letër këtë histori brilante të tyre.