Bejko: Informuam OSBE/ODIHR se PD është penguar për fushatën
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko deklaroi sot se kishte informuar përfaqësuesit e misionit të OSBE/ODIHR mbi parregullësitë e evidentuara në fushatën e Tiranës për zgjedhjet vendore.
Në një deklaratë për mediet, pas takimit, ai tha se PD po pengohet për fushatën dhe se ende nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga fondi i KQZ.
“Patëm në mjediset e PD, përfaqësues të ODIHR, iu bëmë të ditur atyre problematikat e fushatës, që kanë të bëjmë me ndërhyrjet e qeverisë në shkeljet e ligjit për punësimet. Janë 3 mijë të punësuar në këto kohë. Informuam OSBE/ODIHR për rritjen e pagave dhe pensioneve dhe hapjen e thesit për investime në periudhën e zgjedhjeve. I informuam edhe për rolin e patronazhistëve. Sot partia Demokratike ende nuk ka marrë asnjë qindarkë nga fondet e KQZ-së. PD është penguar për fushatën, sepse në mjediset publike ne nuk jemi shfaqur me banerat. Të gjitha ambientet i ka marrë PS dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”, tha Bejko.
Një tjetër çështje e ngritur nga Bejko ishte dhe cilësimi si kryetar i PD-së për Sali Berishën nga ana e medias kur, siç u shpreh ai, PD është tjetërkund.