Rama: Memaliaj dhe Tepelena, destinacione të dëshiruara për turistët
Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “Memaliaj dhe Tepelena do të jenë një destinacion i dëshiruar për turistët e huaj”.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “Memaliaj dhe Tepelena do të jenë një destinacion i dëshiruar për turistët e huaj”.
Në fjalën e tij, në takimin e zhvilluar në Memaliaj, ku prezantoi kandidatët për bashkitë e Memaliajt dhe Tepelenës, Gjolek Guci dhe Tërmet Peçi, në kuadër të fushatës zgjedhore të 14 majit, Rama tha se, “duke u kthyer pak pas, ju nuk e imagjinonit që në Memaliaj do të hapej sezon turistik. Deri para pak vitesh, Memaliaj ishte një nga vendet e harruara dhe i braktisur, që jo nuk imagjinohej sezon turistik, por nuk imagjinohej fare e nesërmja”.
“Tepelena ishte një xhep fallco në anë të rrugës, as nuk mund të imagjinohej të flitej për turizëm e agroturizëm, të ndërtuar me investimet e emigrantëve tepelenas, që gjithmonë e më shumë po e kthejnë kokën aty ku kanë të ardhmen e tyre të sigurt, në çdo pikë të Memaliaj, Tepelenës, Përmetit”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se, “kushdo që ka shtëpi të trashëguar nga gjyshërit, një copë tokë, kushdo që ka një lidhje ka një të ardhme, se të investosh investimet tua në këtë zonë do të thotë të kesh të ardhura më shumë se puna që mund të bësh për dikë tjetër në emigracion. Kjo është ende një valë e butë, e qetë, por të jeni të bindur që do shkoj duke u bërë dallgë nga Memaliaj në Tepelenë do të jetë një nga destinacionet më të dëshiruara për turistët e huaj”.
“Sot, Memaliaj, bëhet gati të hapë sezonin e dytë turistik se ka qenë një vend i njohur për miniera, por sezoni i 4, 5 do të jenë gjithmonë e më kuptimplotë”, theksoi Rama.
“Me pjesën e bekuar të natyrës shqiptare, Vjosën që e kthyem në Park Kombëtar dhe gjithë atë vëmendje ndërkombëtare që ka marrë veprimi i qeverisë dhe investimet që do të sjellë, me një drejtim komplet tjetër në zonat e tjera, që janë në funksion të ekzaltimit të bukurive të mjedisit, të prodhimit vendas, të punësimit të djemve e vajzave, për ta kthyer këtë bukuri në një të mirë për familjen e tyre, e ardhmja është shumë më mirë për të gjithë ata që vijnë nga kjo zonë dhe do ta kenë këtu e jo atje ku kanë ikur në emigracion”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “besnikërinë, besimin dhe mbështetjen që kemi marrë, kemi dashur, duam e do të duam deri në ditën e fundit t’ua kthejmë me mbarësi , mirësi, në ardhmëri”.
Duke folur për investimet në infrastrukturë Rama tha se, “kur kemi thënë që do ta lidhim Tepelenën me bregun dhe do ta bëjmë këtë qark të lidhet me të gjitha rrugët për të zbritur deri në breg, nuk më besuan. Sot Tepelena e ka daljen në bregdet, është pika parë e ndalesës për shumë turistë që vijnë në bregdet e ndalojnë e këtu, të jeni të bindur që do të kthehen përsëri”.
Sa i përket projektit në kalanë e Ali Pashës, Rama tha se, “kemi një aset që ishte i fjetur, i mbushur me ferra dhe njerëzit jetonin mes mizerjes. Ajo kala që ka hyrë në fazën e dytë do të jetë një tjetër pikë që do tërheqë vizitorë dhe do krijojë vende të reja pune për artizanat e shërbim ndaj turistëve”.
Kryeministri Rama foli edhe për rritjen e pagave.
“Kemi hyrë në një kthesë të rëndësishme, të gjithanshme pas vitesh dekadash vështirësie. Jemi në një proces historik të rritjes së madhe të rrogave ku u kthejmë mbrapsht njerëzve besimin, durimin sakrificat, mundin e tyre sepse duam që t’u japim atë që ju duhet për të vazhduar të besojnë tek Shqipëria për ta ndërtuar të ardhmen këtu. Nga 530 euro, paga mesatare do të jetë 900 euro në sektorin publik, por edhe sektori privat do të shkojë para me rritjen e pagave”, tha Rama.
Duke folur për opozitën Rama tha se, “ata nuk e kanë mendjen tek ju, nuk e kanë mendjen tek zhvillimi, transformimi tek e ardhmja, u ka mbetur ora aty ku e kanë pasur që në krye të herës”.
“Shqipëria është në pozicionin më të mirë ndërkombëtarisht, ka ulësen e vet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, drejtonte OSBE-në, mikpret samitin e BE-së në Tiranë. Çfarë do të bëjmë ne? Do t’i bëjmë të gjithë kësaj bote miqsh e aleatësh, që e kemi lidhur pas vetes si asnjëherë tjetër, një karshillëk të madh, se ne kemi një ‘non-grata’ që nuk e lëmë dot aty ku e meriton, në të shkuarën”, tha Rama.