Meta: Harta e re gjyqësore, një antireformë
Kreu i PL: Ramaforma në drejtësi po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, foli sot në lidhje me mbylljen e disa gjykatave të shkallës së parë, në kuadër të fazës së dytë të hartës gjyqësore.
Në një konferencë për mediet, Meta theksoi se, Ramaforma në drejtësi, në kundërshtim të plotë me të gjitha ndryshimet e bëra para 7 vitesh, po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi.
“Nga sot dhjetëra-mijëra qytetarëve do t’u hiqet mundësia për të ndjekur çështjet e tyre në gjykata dhe prokurori. Nga sot për fat të keq dhe Gjykatat e Shkallës së Parë do të mbyllen në Lushnjë, në qytetin e Kongresit, në Pogradec, në Kavajë, në Kurbin, në Mat, Tropojë, Përmet etj. Ramaforma në drejtësi në kundërshtim të plotë me të gjitha ndryshimet e bëra para 7 vitesh po shkatërron aksesin e qytetarëve për drejtësi, po shton zvarritjet, burokracitë dhe po u rrit kostot që t’i lërë ata pa drejtësi”, tha ai.
Po ashtu, Meta tha se, harta e re gjyqësore është një antireformë, pasi nuk merr parasysh largësinë e qytetarëve nga gjykatat dhe mundësitë e kufizuara të transportit.
“Më 14 maj qytetarët e Shqipërisë do të votojnë edhe kundër Ramaformës, e cila po ua bën drejtësinë edhe më të pamundur, edhe më të paarritshme, edhe më të shtrenjtë, në mënyrë që t’i lërë pa drejtësi”, tha Meta. / ATSH