Sazet e Usta Laverit!
Usta Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj të vitit 1929
Nga Akademik Vasil S.Tole
Formën, ashtu siç i njohim sot, ky formacion e mori pas viteve ’45 të shek. XX-të.
Me nismën e Laver Bariut, u grumbulluan së bashku muziktarë në vegla dhe këngëtarë popullorë të cilët deri në atë kohë luanin të ndarë nëpër formacione të tjera ose që nuk kishin luajtur më përpara.
Duhet thënë se ashtu si dhe për sazet e tjera, roli i drejtuesit të sazeve është vendimtar për to.
Në jetën dhe personalitetin e Laver Bariut mund të shihet si në miniaturë i gjithë procesi i formimit të sazeve të Shqipërisë së Jugut.
Usta Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj të vitit 1929. Djali i Bariut, këngëtarit popullor dhe interpretuesit në llahutë, tregoi që i vogël një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit etj.
Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muzikantë të shquar popullorë për kohën, si Islami në gajde, e veçanërisht Feim gajdexhiu, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit.
Rreth moshës 10 vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të jatit, Bariut, dhe siç tregon vetë Usta Laveri “Këndonja dhe shoqëronja veten me llautë në Re”. Siç kujton ai vetë “…klarinetën e filloi në kohë të Italisë”.
Babai i tij Bariu dëshironte që vëllanë e madh të Laverit, Mamanin ta bënte gërnetaxhi, dhe për këtë i blen të famshmit Cilo Qorri gërnetën e tij të vjetër.
Fshehurazi të jatit Laveri ushtrohet me gërnetën e të vëllait, i cili nuk u bë kurrë gërnetaxhi. Ndërkohë Laveri luante në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës.
Për herë të parë luan në gërnetë sëbashku me të jatin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Shpejtësia dhe thjeshtësia e interpretimit të tij në gërnetë u ra në sy të tërëve, veçanërisht gërnetistit të njohur popullor në Korçë, Skëndo Kuqos.
Rastësia bëri që Usta Hajdar Cangonji, gërnetist popullor nga Zvezda me të cilin punonte nëpër dasma i jati i Laverit, e dëgjoi duke kënduar me llautë këngën popullore “Dorën mor çun dorën, më trete si dëborën”. Megjithëse i vogël në moshë, Usta Laveri iu bashkëngjit sazeve të Hajdar Cangonjit, duke punuar nëpër dasma me “xhezban”.
Ai kujton se dasma e parë ku ai interpretoi së bashku me Usta Hajdarin dhe me të jatin, Bariun, ishte në Vithkuq. Me ta punoi vetëm një behar.
Pas kësaj formoi së bashku me vëllezërit Sulo (rreth 35 vjeç) dhe Asllan (rreth 40) nga Konica një formacion tjetër të përbërë nga Suloja në klarinetë, Asllani me def dhe Usta Laveri me llautë, të cilët luanin muzikë popullore qytetare në qytetin e Korçës.
Kthehet familjarisht në Përmet në fund të vitit 1944. Aty bën përpjekjet e para për të organizuar një grup me shokët e tij të fëmijërisë por atyre iu mungonin veglat muzikore. Shkon në Korçë dhe kthehet përsëri në Përmet më 1945 së bashku me gërnetën dhe me llautën e babait.
Aty takon Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth 1 vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte.
Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952.
Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj më 1966 regjistron në Radio-Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën.
Këto saze kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si “Bilbilat e Përmetit”.
Meritë kryesore e këtyre sazeve është se formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare.
Në fakt, deri më atëherë, për një pjesë të madhe të muzikës së qyteteve repertori qe i përbashkët.
Shkëputja dhe kristalizimi i shumë këngëve dhe melodive që lidheshin kryesisht me ndihmesat e muzikantëve popullorë paraardhës nga Përmeti, solli që një pjesë të repertorit të dikurshëm ta “harronin” në favor të gdhendjes së identitetit të një pjese të tij.
Kjo gjë u realizua nga këto saze në bashkëpunim të ngushtë me këngëtarët më të mirë që kishte qyteti i Përmetit si dhe ata që ende vinin nga tradita e muzikës fshatare dhe padyshim duke shfrytëzuar traditën pararendëse që kishin formuar sazet e Usta Mediut, Vangjelit, Gaqos, Halitit etj. Sazet kanë pësuar disa riorganizime strukturore të cilat kanë reflektuar para së gjithash orientimin artistik të krijuesit të tyre, Usta Laverit.
Nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë që të dallosh personalitetin e Usta Laverit si interpret (gërnetar e këngëtar) dhe krijues i shumë stilemave aq të njohura sot nga muzika popullore permetare.
Këtu përfshihen me dhjetra hyrje këngësh, kaba, valle dhe mjaft riinterpretime të pjesëve të repertorit të vjetër të Sazeve të Përmetit.