Cara: Durrësi ka nevojë për ndryshim!
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, Igli Cara theksoi se, “Durrësi ka nevojë për ndryshim”.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, Igli Cara theksoi sot se, “Durrësi ka nevojë për ndryshim”.
Në një intervistë televizive, Cara tha se, “në Durrës ka shumë probleme dhe unë po listoj tre rajone kryesore si zona e komunave, Durrësi i ri dhe Durrësi i vjetër. Të gjitha këto zona kanë problemet e tyre dhe specifikat, por kanë një të përbashkët që thonë se dera e bashkisë është e mbyllur. Për më tepër, zonat e komunave shërbimet që i merrnin aty, tani nuk i marrin më dhe detyrohen të vijnë prej shumë larg si në rastin e Ishmit.
“Durrësi i ri ka probleme të mëdha që lidhen me njëra tjetrën dhe tani ky qytet tregon shumë, të rinjtë thonë që këtu nuk po jetohet më. Sa i përket Durrësit të vjetër ka një trafik të jashtëzakonshëm dhe qytetarët shprehen se këtu vetëm një pjesë e personave të lidhur me drejtuesit e bashkisë po jetojnë si duhet”, u shpreh Cara.
Sa i përket fushatës, Cara theksoi se, “zgjedhjet lokale po tentojnë t’i kthejnë politike pasi Rama e ka mbushur Durrësin me postera kudo dhe ne nuk kemi asnjë mundësi të vendosim një poster. Ai mundohet ta bëjë fushatën politike, kur në fakt do të duhej të ishte një debat administrativ mes kandidatëve”.
Cara u shpreh se, në Durrës, një problem mjaft i madh është parkingu.
“Durrësi është i vetmi vend në botë, ku me 300 mijë banorë nuk ke një parking nëntokësor, ose një parking të dedikuar në zonën e plazhit, përveç parkimeve private. Është detyrim i bashkisë të sigurojë parkingje. Në plazh mund të ishin bërë shumë me 2-3 mijë poste parkimi. Kam folur më specialistë se si të krijojmë mundësi që të gjejmë vende ku të kemi parkingje nëntokësore dhe të mundshme”, tha Cara.