Bejko: Shkolla, kopshte dhe çerdhe pranë bizneseve me mbi 50 punonjës
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi sot një takim me gratë dhe vajzat që punojnë në fasoneri.
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi sot një takim me gratë dhe vajzat që punojnë në fasoneri.
Një nga shqetësimet e ngritura nga gratë gjatë takimeve të zhvilluara ka qenë mungesa e shkollave afër ambienteve të punës dhe shtëpisë, e pikërisht për këtë problematikë kandidati demokrat angazhohet për ndërtimin e kopshteve, çerdheve dhe shkollave vetëm 15 minuta larg shtëpisë.
Bejko tha se, kështu nënat do të shmangin trafikun në Tiranë dhe nuk do të bëhen vonë për punë.
Krahas kësaj, Bejko tha se, do vendosen shkolla, kopshte dhe çerdhe pranë bizneseve me mbi 50 punonjës dhe nëse shumica e punonjësve janë të reja.
“Kam përshtypjen që një pjesë e mirë e juaja jeni nëna të reja dhe problemin më të madh keni në mëngjes ku do të çoni fëmijët në kopsht, çerdhe apo në shkollë. Në lagje të veçanta të Tiranës ka mungesa totale të shkollave, kopshteve dhe çerdheve, sic është zona e Astirit përshembull. Aty janë 70 mijë banorë nuk ka asnjë kopësht, shkollë, çerdhe. Ne do ndjekim politikën që shkolla, kopshti dhe çerdhja, do të jenë 15 minuta larg familjes. Është detyrim që e ka edhe BE këtë gjë. Kjo bën të mundur që ju dhe burrat të mos futeni në trafikun e Tiranës për të çuar fëmijët nga njëra lagje në lagjen tjetër e pastaj të vonoheni për ta ardhur në punë këtu”, tha Bejko.
“Forma tjetër do jetë së bashku me bizneset ku ju punoni, sidomos atje ku ka mbi 50 punëtorë dhe ka shumë nëna të reja më fëmijë, të hapen kopshte dhe çerdhe, të cilat t’i kenë pranë punës dhe kur mbaron punën e merr fëmijën e vet dhe ikën në shtëpi. Nuk vjen vërdallë Tiranës të humbë kohë edhe njëherë nëpër trafik se i merr dy orë vetëm trafiku”, theksoi Bejko.
Po ashtu, Bejko u shpreh se, “nënat kryefamiljare do të jeni prioritet i bashkisë, e cila do t’iu rimbursojë 100% kredinë për strehim nëse ato janë ta papuna. Ndërkohë, nëse janë në marrëdhënie pune, Bashkia do të rimbursojë pjesën më të madhe të kredisë”.
“Bashkia do të jetë në krah të këtyre grave duke iu rimbursuar kredi për tu strehuar nëse ka një punë. Bashkia do iu rimbursojë një pjesë të mirë të kredisë. Nëse nuk ka një punë Bashkia do ia paguajnë 100% kredinë kësaj zonje kryefamiljare dhe do ketë prioritet në strehimin e apartamenteve e cila do të merren nga 3% i ndërtimit”, tha Bejko.