Noti, kryelartësia dhe krenaria e durrsakëve!
Të ruajmë traditat! T’i dalim zot historisë së zhvillimit dhe arritjeve të notit!
Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”
Diku një foto, diku një lajm, pak rradhë në vënd tjetër, e një grusht kujtimesh kalojnë në raste të tjera. Është ajo që mund të quhet me të drejtë historia jonë e notit, e notit durrsak. Të nxitur nga paraardhësit, madje që në vitin 1930 kur edhe u organizua kampionati kombëtar i notit, durrsakët krijuan atë orkestër gjigande, melodia e së cilës as nuk ka ndërmënd të soset.
Kemi patur shumë lojra, kemi patur edhe futboll. Kemi zhvilluar volejbollin, basketbollin, pingpongun dhe shahun. Kampionë kemi qenë, e kampionë kemi mbetur. Është një histori që na takon, të mos lodhemi së treguari e së shkruari. E kemi detyrim për të kryer qytetarinë tonë, por e kemi edhe amanet nga ai brez që dha shumë dhe na takon të mos pluhurosen.
Forcë e mendimit, shtrimi i penës në tapetin e pafund të memories, më detyron të mos dorëzohem, e ti ulë vitet e moshës kur je para synimit të punojmë, kujtojmë, shkruajmë, e nxjerrim vlera nga mali i çmuar i traditës sportive. Këtë po bëj. Këtë do ta bëj edhe më tej. Por do të doja ta bëjmë së bashku. Lexohen këto rradhë dhe secili mund të plotësojë. Kjo do bërë, pasi e gjitha na takon ne, pasi kur u takonte paraardhësve tanë nuk lanë pa i kryer detyrat.
Vështirësi ka sa të duash. Por kur vështron një foto, në të cilën janë fiksuar 7 njerëz të mirë, 7 notarë të njohur, të shikojnë dhe i shikon, nxitja e kalon pasivitetin dhe vrapon mbi kompjuter. Të duket sikur të thonë, jo si mëshirim por në korrektesën dhe seriozitetin që ia kemi njohur kur i takonim:
-Kemi punuar shumë, jemi lodhur jo pak. Konkuruam dhe fituam. Bëmë detyrën tonë. I dhamë nder dhe krenari qytetit tonë, Durrësit të vendlindjes, prandaj edhe ju takon të mos na harroni.
Janë 7 notarë pikantë, gati gati me përjashtim të Luan Rexhës rrahin në të njëjtën periudhë garimi. Taq Dafa mbetet më i vjetri. Po kështu edhe Kristaq Bekridheli, Mustafa Çelkupa, Bernardina Qerraxhia, Sul Tufa, Shaqir Kapexhiu etj. Por ky brez i lindur në vitet 30-të, atëhere kur noti ishte binjakëzuar me notarët e fortë durrsakë, do të bënte namin dhe do të diktonte këtë sport të preferuar të durrsakëve.
Luhet futboll. Luhen edhe lojra të tjera. Por noti, noti është kryefjala e sporteve të Durrësit dhe njerëzit që e zhvilluan atë janë në histori, mbeten të privilegjuar. Dhe kjo dihet fare mirë në Durrës. Koço Afezolli kolos i notit, por akoma më shumë i organizimeve dhe trajnimit. Krijoi shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit, së bashku me Mirban Kadiun. Djalin e tij Spartak Afezollin e bëri rekordmen dhe e ndjeu si detyrë të ruante vazhdimësinë. Lindi në vitin 1931, për të na dhënë lamtumirën e fundit me 25 janar 2018.
Eqerem Korra i 28 tetorit të vitit 1932. Mban rekordet e pathyera që nga viti 1949 në garat e stilit të lirë 1000 dhe 3000 metra. Janë hequr tashmë nga konkurimi. Mbaj mënd të më tregonte, se kur notonte prej orësh në distanca të gjata linte teshat tek rëra. Dhe kur mbaronte stërvitjen, rrobat i ishin lagur. Pra stërvitjen e kishte filluar me diell dhe e përfundonte me shi. Qendronte shumë, shumë në ujë. Me ujin e detit u rrit dhe me këtë ujë ushqente fëmijët e shumtë. Zanati i peshkatarit ia mundësonte këtë. Në vitin 2012 ndali frymëmarrjen.
Vlash Dhima, burrë i qetë, tejet pasionant. Vuajti në fund të jetës. Dhe në epilog të viteve 90-të, në vënd të të gjallit të tij, na la kujtimet dhe mbresat më të çmuara. Po Mirban Kadiu? Eh Bon Kadiu, mrekullia durrsake e notit. Deri vonë, përtej të 70-tave kishte rezultate të përparuara botërore për moshat. 38 medalje, me dhjetra e dhjetra garime i pari.
Gjoksi i tij u mbush me medalje dhe në shtëpi nuk kishte vënd ku të vendoste kupat dhe trofetë e fituesit. Ka një fakt të pazakontë. Me 11 qershor 1933 nëna e lindi Bonin në mes të detit. Anija udhëtonte nga Bari i Italisë në drejtim të Durrësit. Babai dëshironte që djali të hapte sytë në tokën e të parëve. Jetoi jo pak, për ta kujtuar gjatë. Me 29 nëntor 2018, lotët në sytë tanë nuk pushonin. I dhamë bekimin e paqtë në banesën e përjetshme.
Xhevdet Mitraku, i urti dhe fisniku ynë. Sa i saktë. Sa korrekt. Notoi herët, kur kishte lindur në Durrës në vitin 1936. Atij i takon, natyrisht me kolegë të tjerë si Niko Kurani dhe Bashkim Dakoli, të mbante në pozicione të avancuara ecurinë e femrave në not. Janë shumë rekordmene dhe notare që bënë emër, që janë vendosur me meritë në tabelën e nderit të notit durrsak. U ndamë përfundimisht me të me 16 tetor 2017.
Shyqyr Zotit Ferid Velja, mbetet i fortë dhe dëshmi e historisë. I urojmë jetë sa më të gjatë, pasi jo vetëm veprimtaria e tij në ujë, por edhe në organizime mbetet për t’u përshëndetur. Mosha e tij duhet të jetë pak vite larg shifrës 90-të. Luan Rexha, i datëlindjes 1954, djali i humoristit popullor Osman Rexha, është mbështetës i sigurisë së së arritjeve. Brezi i ri i notimit, i veshur me mburojën e krenarisë të vazhdimësisë së traditave.
Të shtatët në një. Të shtatët pjesë e historisë së notit të famshëm durrsak. Të shtatët edhe në historinë kombëtare, pasi po qe i pari në Durrës, është e sigurtë se je ndër të parët edhe më lart. Të shtatët na flasin dhe i flasim. Të shtatët na shikojnë dhe i shikojmë. Të shtatët na dëgjojnë dhe i dëgjojmë. Veçse nuk duhet harruar ajo çka kërkojnë.
Të ruajmë traditat! T’i dalim zot historisë së zhvillimit dhe arritjeve të notit! Ky është amanet dhe amanetin nuk e tret dheu.
Bujar Qesja
Durrës: 7 maj 2023