Kryediplomati kinez: Marrëdhëniet Kinë-ShBA, rëndësi të madhe për botën
Ministri i Jashtëm kinez: Ne duhet të çojmë përpara negociatat dhe bisedimet në bazë të respektit të ndërsjellë e përfitimeve të përbashkëta
Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe SHBA-ve janë me rëndësi të madhe jo vetëm për të dy vendet, por gjithashtu për botën, tha të hënën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Qin Gang.
Gjatë takimit në Pekin me ambasadorin amerikan në Kinë, Nicholas Burns, kreu i diplomacisë kineze theksoi parimin e “respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta”. Ai vuri në dukje se Pekini shpreson që ShBA-ja të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën, për t’i nxjerrë marrëdhëniet dypalëshe nga gjendja e vështirë dhe për t’i rikthyer në rrugën e duhur.
Pala amerikane duhet të ndreqë perceptimin e vet ndaj Kinës e t’i rikthehet arsyes, për të arritur sukses të ndërsjellë në zhvillimin më të mirë të të dy vendeve, u shpreh Qin, duke shtuar që ShBA-ja nuk duhet të flasë për komunikimin nga njëra anë, ndërsa vazhdimisht përpiqet të “shtypë dhe përmbajë” Kinën nga ana tjetër.
Ai theksoi se pala amerikane duhet të respektojë vijën fundore të palës kineze dhe të ndalojë dëmtimin e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës, duke e trajtuar siç duhet çështjen e Tajvanit dhe duke mos cenuar parimin e “Një Kine”.
“Ne duhet të çojmë përpara negociatat dhe bisedimet në bazë të respektit të ndërsjellë e përfitimeve të përbashkëta,” tha ministri i Jashtëm kinez, duke shpresuar që ambasadori Burns do të bëjë përpjekje konstruktive në Kinë duke pasur më shumë kontakte e komunikime dhe duke qenë një urë ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Burimi: CRI