Alibeaj: Shqiptarët të votojnë për të bërë ndarjen e madhe nga e shkuara
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, votoi sot për zgjedhjet vendore
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, votoi sot për zgjedhjet vendore, ndërsa theksoi se “ftoj çdo shqiptar të ndershëm, me shpirt të lirë, që është jashtë shantazhit dhe joshjes, që sot të ushtrojnë të drejtën e votës siç zemra dhe interesi ua do”.
Alibeaj votoi në qendrën e votimit pranë shkollës së mesme “Ekonomike” në njësinë nr.2 në Tiranë.
Në një prononcim për mediet pas votimit, Alibeaj tha se “zgjedhja është e lehtë për këdo sot. E kam një mesazh për të gjithë demokratët, për të gjithë shqiptarët e e ndershëm, për shqiptarët e lirë, që sot duhet të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës në mënyrë të qetë dhe të matur për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën. Sot është dita që shqiptarët, ata të cilët ndoshta edhe në momentet e mëparshme , kohë më parë, nuk është se kanë ardhur, kanë refuzuar votimin sot është dita të vijnë të bëjmë ndarjen e madhe me të shkuarën dhe kjo është në dorë të shqiptarëve”.
Sipas tij, ndarjet me mëdha me të shkuarën bëhen vetëm me pjesëmarrjen masive të shqiptarëve. /ATSH