Kompozitori Endri Sina, kuratori i tingullit fjalësor të teatrit
Tre të katërtat e dramave të vëna në skenën e Teatrit Kombëtarr, pas viteve 2000 flasin për penën e tij muzikore
Nga Dr. Blerina Shalari, Kompozitore/studiuese
Artistin dhe kompozitorin Endri Sina e kam njohur para se të hyja për studime në akademinë e arteve. Ishte shumë i pranishëm nëpër festivale me emrin dhe artin e tij.
Këngët e tij vlerësoheshin zakonisht me çmime të treta, të dyta etj. Nuk ishte dhe nuk është artisti i konjukturave. S’ka kërkuar kurrë të varet nga ankthi i jurive, komisioneve, bordeve. Bordi dhe juria e tij është dhe do të mbetet muzika që shkroi dhe do të shkruajë tani e pas këtaj.
I heshtur e me shpresë, me ndrojtje, por pa xhelozi e ndoqi pas tingullin, e kërkoi dhe e hodhi në pentagramet e tij të purpurta, sublime, ashtu si ai vetë. Çdo artist e ka një dramë, ndaj dhe është artist, ashtu edhe profesor Endri, i cili ka qenë edhe pedagogu im i harmonisë, tani e përjeton atë përmes tingujve të vetë të cilët s’janë aq tragjikë, sepse ai e ruan dëgjuesin nga fanitja ndaj lotit. Ai nuk e kursen tingullin, e dhuron ashtu siç e ndjen, herë klasik, herë romantik, herë popullor, herë baladik, aspak fanfaresk e triumfal.
Triumfi i veprave të tij shfaqet në tërësinë e tyre. Ato janë të gjitha filizat e një pylli të cilin e kupton se ekziston vetëm duke e shijuar të tërin papushim. S’ka dyshim se Endri Sina e ka ngritur një amfiteatër me muzikën që i kushtoi fjalës, fjalës së shkruar dhe të ndjerë prej aktorëve, fjalës së thurur prej teatrit.
Forca e fjalës e grish kompozitorin, gjithmonë kështu ka qenë. Bethoveni u “sulmua” nga fjala e Gëtes”, nga filozofia dhe lirizmi i Shilerit, dhe mbolli e mbijnë në zemrën e botës ato kryevepra të ditura botërisht. Njëjtë me Verdin, Listin, Bramsin e pasuesit, të cilët u mikluan nga Shekspiri me shokë, madje rruga e tyre krijuese u prapësua deri tek Homeri. Në kurthin e fjalës kam rënë edhe vetë, dhe nuk di a do të dal ndonjëherë. Kuptohet, që po mundohem ta zbus me muzikë.
Endri Sina e do teatrin.
Ai ia përgjëron tingujt e muzikës së tij teatrit, dhe teatri, drama në përgjithësi i përgjërohet dy fish publikut, i cili gjakoset shpirtërisht prej panikut të bukur që të krijojnë, muzika dramë, e drama fjalë-veprim, të cilat dhembin deri në skajim. Të njëjtin emocion kam përjetuar, si në dramën televizive që shpesh-e quajnë film, edhe në dramën e shpalosur në skenë. Muzika e shkruar për teatër, po sidomos e këngëzuar me qëllim nga kompozitori Endri Sina, ka krijuar tashmë traditën e vetë pothuajse skrupuloze në kreatoren shqiptare.
Në dramat e viteve pesëdhjetë, të cilat shfaqeshin në radio “Tirana”, gjejmë një ilustrazh muzikor gjysmë-profesional, i cili vinte si inspirim, por edhe si mungim i veprave të mirëfillta në këtë drejtim dhe kështu hapësira mbushej prej veprave të huaja.
Për shembull: Për veprat ruse, s’do mend që ilustrazhi ishte me muzikë ruse, korale ruse etj. Njëjtë gjet me literaturën franceze, gjermane etj. Nga pikëpamja emocionale, megjithëse me përvojë të pakët, formuluesit e muzikës kanë qenë të kujdesshëm për t’i veshur emocionet e mëdha të aktorëve me një ringjethje muzikore, duke arritur me këtë dialog një ethe artistike vlimtare.
Në vitet gjashtëdhjetë drama vazhdoi të shfaqej në radio, dhe për pasojë u sofistikua ilustrazhi muzikor i saj, tepër i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të sjellë një pigment të përveçëm. Tekstet lirike vezullonin, ca nga emocioni i aktorit, ca nga ilustrazhi i cili jepej me të drejtë prej nënvizimeve me piano, flaut etj. Në kësi rastesh përdoreshin zakonisht nokturnet ose pjesët për flaut.
Po kaq drejt përputheshin emocionet tek tragjikja duke e ngurosur emocionin e aktorit tek violonçeli, timpani, deri edhe tek violina sfondaike. Përgjithësisht përdoreshin tingëllimet minore të Bethovenit ose lotimi rus i Çaikovskit, dhe rezultati ishte mahnitës. Kur i dëgjoje këto drama, të mbetej në mend, sa emocioni i aktorit, po aq edhe muzika që e shoqëronte. Nuk është tepër po të shkruajmë se si krijonte dhe krijon atë sakrilegj, lotë e muzikë bashkë, shpirti i aktorit dhe muzika e mirë, e cila e ndjek pas atë artist në një udhë sublime.
Aty rreth viteve 70, kompozitorët që kishin formuar tashmë disa breza, gjendeshin përpara veprash të vlera, dhe kështu nisën të shkruanin muzikë për to. Kujtoj: Muzikën e dramës “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” shkruar nga Limos Dizdari. Muzika e teatrit të kukullave shkruar nga Robert Radoja, Zamir Këlliçi, Aleksandër Lalo etj, të cilët i kanë jetësuar këto vepra edhe përtej dramës për të cilën ishin stiluar. Kështu ka ngjarë edhe me kompozitorin Endri Sina. Ai e pati si kompozitor një përvojë në kompozimin e ilustrazhit të dramës së luajtur në skenë. Tradita ishte konsoliduar sepse kemi edhe ilustrazhin muzikor të filmit, fushë ku të gjithë kompozitorët shqiptarë kanë shkruar, padyshim, faqet më të ndritura të muzikës së kultivuar.
Filmat “Gjoleka djali i Abazit”, “Bolero në vilën e pleqve”, janë sintezë e një vetie krijuese, e cila e ka ravijëzuar kompozitorin Endri Sina përfundimisht si një penë e natyralizuar e kostumit tingullor kaq të nevojshëm të filmit dhe teatrit shqiptar. Jam e sigurtë se në vendet përreth ka pak kompozitorë që shkruajnë muzikë seriozisht të dedikuar ndaj filmit dhe dramës. Shqipëria ka disa emra, njëri prej të cilëve është padyshim Endri Sina.
Tre të katërtat e dramave të vëna në skenën e teatrit kombëtar shqiptar, të paktën pas viteve 2000 flasin për penën e tij muzikore. Përmendim këtu: “Trupi im i mirë”, muzika e dramës “Galaksia, skena nga një ekzekutim”, muzika e dramës “Equus”, dhe sëfundi, kulmoi me muzikën e dramës “Ivanof”, të shkruar nga Anton Pavloviç Çehov, dhe ja se si: Çehovi i quan dramat e tij komedi lirike, kjo për arsye të altruizmit të njohur rus, kurse në të vërtetë ato janë tragjedi të jetës njerëzore, ashtu sikurse është edhe “Ivanof”.
Po t’i ndjekësh veç e veç, muzikën e tekstit, dhe muzikën e tingujve, pra të ndara si vepra, kupton se ato ekzistojnë pa njëra tjetrën, dhe e bëjnë vrik udhën e tyre për tek shpirti i spektatorit. Po t’i ndjekësh së bashku, e kupton se drama e shkrimtarit, dhe drama muzikore e kompozitorit Sina, janë bërë për njëra-tjetrën.
E dëgjuar pa tekstin, muzika e zbërthen dramën në pak minuta. Fillon me një këngë pa fjalë, e cila shenjon personazhin kryesor, “Ivanof”, më pas vazhdon e lirikëzuar me personazhin tjetër “Ana Petrovna”, e cila flet përmes oboes dhe ku kërkon një triumf të përmbajtur përmes lojës me instrumentat e tunxhit.
Më tej, ditari vazhdon i ngjyrosur me minorin proverbial të artit rus, i cili jepet sigurisht pas një valsi, edhe ai i trishtuar e i zbutur nga tingëllimet e balalajkës së famshme. Valsi i gjithë personazheve të plandosur në mejhanen e shthurjes intelektuale, përfundon si në mejhane, në një polka përqeshëse ndaj kotësive të jetës, simbol i Rusisë së madhe të artit të pavdekshëm.
Kompozitori e parandjen fundin tragjik të personazheve kur e përfundon veprën suitë me një epilog të trishtuar, dhe me dhimbje ka bërë marrëveshje me shkrimtarin duke e pranuar vdekjen e intelektualit “Ivanof”, e ungjillizuar kjo edhe përmes muzikës.
Dr. Blerina Shalari dhe aktori i njohur, Dritan Boriçi
Ky epilog kaq i dhimbshëm, shfaqet në të katër aktet e dramës, sa herë që personazhet shtrydhin shpirtin duke pikuar dhimbje të pandalshme e të pangushëllueshme. Kjo ndihet më tepër në momentin kur dyzimi Ana – Ivanof arrin kulmin duke i folur njëri-tjetrit në dy gjuhë, hebraisht dhe rusisht, dhe ku muzika i ndjek pas duke u munduar t’i shpëtojë nga ankthi i ndarjes, por fatkeqësisht bije edhe ajo bashkë me ta në humnerën e trishtimit.
Aspekti nënvizues i kompozitorit, sidomos i dhënë në rastet e ngashërimeve të aktorit, personazhit kryesor “Ivanof”, të gdhendur nga Dritan Boriçi, apo të ngadhënjimeve të tij në skenë, pse jo, e bëjnë këtë krijues të denjësohet më tej duke u afruar edhe më tepër në vorbullat e dramave të tjera, sepse padyshim do të jetë shkrirë si artist me vorbullën. Pikimin e shpirtit të aktorit e bën vlim, shpirti i kompozitorit, nëse e ndjen vërtetë se cilin ka përballë, dhe për të cilin duhet të rreket ta shkruajë atë muzikë.
Dualiteti pikim, -vlim, ndjell një vepër muzikore e cila i flet teatrit po aq sa drama e shkrimtarit.
Violonçeli i penës së Endri Sinës, simbol i dhimbjes, nuk abuzon me lotimet, por ai qan së brendshmi, duke i ftuar edhe aktorët të qajnë bashkë me të, të vuajnë e “të vdesin” bashkë me të, duke pasur Zotin si dëshmitar, siç thotë Çehovi me gojën e “Ivanof”.
Fatmirësisht, ne shqiptarët jemi dëshmitarë të artit muzikor të një krijuesi me talent si Endri Sina, i cili këndon bashkë me këngëtarin, dhimbon bashkë me violonçelin, qan bashkë me aktorin, vuan bashkë me shkrimtarin, dhe kështu ka shpikur një Athos krijimtarie të vlerë, sidomos për botën e teatrit, të cilën s’ka për ta braktisur kurrë. Për shijen e përcjellë përmes dramës “Ivanof”, duket se Anton Pavloviçi ka lënë disa fletë bosh në tekst, duke i bërë vend, aty mes kryeveprës së tij, edhe kompozitorit tonë të talentuar Endri Sina, bashkë me muzat që e shoqërojnë.