Zgjedhjet Vendore, Erion Isai fiton Bashkinë Kolonjë
Deputetja Olta Xhaçka shpalli sot fitoren e kandidatit të PS-së në Kolonjë, Erion Isai.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, njëherësh deputete e Partisë Socialiste në Kolonjë, Olta Xhaçka shpalli sot fitoren e kandidatit të PS-së në Kolonjë, Erion Isai.
Në një deklaratë për media nga selia e PS-së, Xhaçka tha se “Kolonja vjen me fitoren e merituar, me një fitore spektakolare”.
“Është spektakolare sepse është përfundimi i merituar i një fushate model. Fushata më e bukur që kemi bërë ndonjëherë, që kishte në qendër komunikimin me çdo qytetar për projektet e së ardhmes. Ishte një fitore spektakolare edhe për faktin që Rama dhe PS, Erion Isai vazhdon të marrë një mbështetje të merituar dhe një mbështetje të vazhdueshme dhe konstante nga Kolonja, me 65 % në këto zgjedhje”, theksoi Xhaçka.
Xhaçka falënderoi aktivistët dhe patronazhistët e PS-së, që sipas saj, bënë të mundur këtë fitore e këtë fushatë kaq të bukur.
“Kjo fitore na ngjall më shumë detyrim dhe përgjegjësi për të bërë edhe më shumë se ç’kemi bërë gjatë këtyre viteve për Kolonjën. Kolonjën e mrekullueshme të njerëzve të jashtëzakonshëm që i ka dhënë kaq shumë kulturës dhe patriotizmit të gjithë Shqipërisë”, shtoi Xhaçka.