Veliaj: Koha për bashkim, ja projektet tona këtë mandat të ri
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas fitores në Tiranë, bëri thirrje për bashkim.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas fitores në Tiranë, bëri thirrje për bashkim.
Në një intervistë televizive, Veliaj tha se, do të vazhdojë punën me projektet për zhvillimin e Tiranës.
“Përparësia duhet të fillojë nga nesër. Me të dalë rezultati sot në mesnatë ose pas mesnate e nesër do të kemi një tubim për të falënderuar mbështetësit dhe për të bërë një thirrje për bashkim. Politika e vjetër që u penalizua nga këto zgjedhje qartazi na ka lënë të përçarë dhe na ka lënë me plagë nga kjo fushatë. Thirrja ime e parë është të bashkohemi”, tha ai.
Veliaj vlerësoi se, në përgjithësi fushata shkoi qetë dhe nuk pati debate të tepruara.
“Një ftesë për bashkim është një fillim i mirë për këtë mandat. Dhe pastaj sigurisht do të vazhdojmë punët aty ku i kemi lënë. Ajo që premtova edhe herën e fundit që folëm bashkë, kjo historia e asfaltit elektoral, ne edhe sot po shtrojmë asfalt, edhe nesër, edhe pasnesër. Kjo është një punë e përditshme që bën Bashkia e Tiranës. Për përditshmëri ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që bëjmë më mirë, të mbajmë qytet të pastër, të ndriçuar dhe të gjelbëruar”, tha ai.
Veliaj theksoi se, do duhet menjëherë të fillojmë me disa projekte të reja siç është Teatri Kombëtar ku ne të fillojmë të hapim të gjithë kantierin dhe të shfrytëzojnë kohën e verës për të lëvizur mjetet e rënda për themelet e teatrit.
“Kemi shumë punime në 7 lotet e Unazës së Madhe. Do të hapim një kantier të ri te Kthesa e Kamzës që ka të bëjë me terminalin perëndimor. Dhe pastaj do të kemi një lot të ri të shkollave të reja, kryesisht në zonat e Astirit, Liqenit të Thatë dhe Saukut, për t’u siguruar që e mbyllim përfundimisht buqetën e shkollave të reja të Tiranës. Më pas duam që të fillojmë me Kopshtin Botanik. Dhe pastaj jemi fokusuar te Bulevardi i Ri, ku do të jetë Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Bashkia e re, Muzeu i Artit modern dhe qendra e re e panaireve”, deklaroi Veliaj. /ATSH