Margariti: Shqipëria në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia
Ekspozita e 18-të Ndërkombëtare e Arkitekturës zhvillohet nga 20 maji deri më 26 nëntor 2023 në Giardini
Shqipëria po prezantohet në një tjetër arenë ndërkombëtare, në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, e cila zhvillohet nga 20 maj deri në 26 nëntor.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes së bienales, ndërsa theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “me përsiatjen e pakohë mbi të ardhmen e arkitekturës dhe arkitektëve si faktor ndryshimi të hapësirës publike dhe ambientit, Era dhe Martini na futën në “Laboratorin e ideve” të bienales”.
“Një ndërthurje mes virtuales dhe të prekshmes, ku ndëraktiviteti i propozuar përmes gjuhës digjitale shoqërohet nga zhurma e hapave mbi zhavorr, si lënda bazë e ndërtimit”, theksoi Margariti.
Projekti që përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 18-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias është “Përsiatje të pakohë ose: Si mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara.
Ky projekt është paraqitur nga një grup artistësh të rinj: Era Merkuri (arkitekte dhe drejtuese e ekipit), nga Martin Gjoleka (arkitekt), Ani Marku (arkitekt) dhe Geraldo Prendushi (artist digjital).
Ekspozita e 18-të Ndërkombëtare e Arkitekturës, e cila do të zhvillohet nga 20 maji deri më 26 nëntor 2023 në Giardini, në Arsenale dhe në vende të ndryshme përreth Venecias, titullohet: Laboratori i së Ardhmes.