DPSHTRR, bashkëpunim me Klubin austriak të Automobilizmit për edukimin mbi sigurinë rrugore
Në Automotoparkun e Elbasanit, do të ngrihet qendra e parë e sigurisë për prova e simulime të gjalla të situatave rrugore
Ekipi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) vizitoi ambientet e Klubit të Automobilizmit (OAMTC), në Teesdorf, Austri, ku u takuan me Franc Wurz, pionierin dhe themeluesin e programeve mbi sigurinë rrugore dhe aftësimin e drejtuesve të mjeteve në Austri.
Wurz është sot frymëzues e promotor ndërkombëtar i Qendrave të Edukimit mbi Trafikun dhe Kurset Mësimore Automotoristike
Palët diskutuan mbi projektin pilot të kurrikulës së re shqiptare për Edukimin mbi Trafikun e Sigurinë Rrugore dhe bashkëpunimin historik me studion e drejtuar nga ai dhe i biri, Alex, Wurz Design për projektimin e Automotoparkut të parë në Shqipëri.
Në Automotoparkun e Elbasanit, do të ngrihet qendra e parë e sigurisë për prova e simulime të gjalla të situatave rrugore, reflekset dhe kohën e reagimit, faktorët ndikues në manovra, edukimin dhe formimin mbi rrezikun e paparashikuar, trajnime e stërvitje praktike, nga mjetet rrugore individuale tek mjetet profesionale të transportit rrugor.