Vllaznia e femrave kurorëzohet kampione për herë të dhjetë
Vllaznia e mbylli kampionatin në kuotën e 54 pikëve pas 18 javëve të zhvilluara, ku ka njohur vetëm fitore, asnjë humbje dhe asnjë barazim.
Vllaznia është shpallur zyrtarisht kampione e edicionit futbollistik 2022-2023 në kampionatin e futbollit të vajzave. Kjo është hera e 10-të radhazi që kuqeblutë kurorëzohen me titullin ‘kampione të Shqipërisë’ në futbollin e vajzave. Vllaznia e mbylli kampionatin në kuotën e 54 pikëve pas 18 javëve të zhvilluara, ku ka njohur vetëm fitore, asnjë humbje dhe asnjë barazim.
Në ndeshjen e 18-të të kampionatit, Vllaznia mposhti rivalen direkt për titull, Tiranën. Vajzat kuqeblu triumfuan me rezultatin 3-0, me gola të Megi Doçit, Matilda Gjergjit e Gresa Berishës.
Në fund të takimit, u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve për të gjithë pjestëarët e Vllaznisë nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Bardhyl Jera, i cili gjithashtu i dorëzoi kapitenes së ekipit, Esmeralda Franja edhe trofeun e kampiones.
Ndërkaq, të shtunën, të dielën dhe sot u luajtën edhe ndeshjet e tjera të javës së 18-të, ku u fiksua përfundimisht edhe klasifikimi i skuadrave për këtë edicion futbollistik.
Apolonia mposhti Kukësin në transfertë këtë të hënë me rezultatin 0-9 duke u renditur kështu përfundimisht në vendin e tretë në kampionat, me 42 pikë të grumbullulluara pas 18 javësh. Në derbin e kryeqytetit, Partizani triumfoi ndaj Kinostudios në sfidën e zhvilluar të dielën në stadiumin ‘Arena e Demave’. Vajzat e kuqe fituan me rezultatin 4-1, në një ndeshje mjaft të luftuar nga të dyja ekipet.
Sakaq, Teuta mundi Lushnjen në stadiumin ‘Roza Haxhiu’ me shifrat 1-2, ndërsa Skënderbeu nuk ia doli ndaj Laçit në shtëpi. Laçjanet morën tre pikët e fundit të këtij edicioni në Korçë, duke fituar me rezultatin 5-0.