Ibrahimaj: Lehtësi fiskale për infrastrukturën inovative
Në Tiranë u prezantua sot faza e dytë e projektit “Bashkimi Evropian për inovacionin”,
Në Tiranë u prezantua sot faza e dytë e projektit “Bashkimi Evropian për inovacionin”, projekt i cili ka në qendër zhvillimin ekonomik bazuar tek inovacioni, rritja e konkurrueshmërisë, kërkimi shkencor, startup-et.
Prezantimi i kësaj faze të projektit bëri bashkë përfaqësues të qeverisë si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, përmes të cilëve edhe po zhvillohet ky projekt.
Përmes këtij projekti synohet shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion të rëndësishëm të inovacionit në rajon.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se, qeveria shqiptare ka punuar intensivisht për hartimin e legjislacionit të duhur për të bërë të mundur krijimin dhe zhvillimin e ekosistemit.
“Sot ky ekosistem ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme në të gjithë botën dhe Shqipëria nuk mund të mbetej pas. Ne kemi punuar me qëllim hartimin e legjislacionit të duhur për të bërë të mundur krijimin dhe zhvillimin e ekosistemit. Ndryshimet në ligjin “Për startup-et inovative” i hapin rrugë atyre që përkufizohen si nomadët digjitalë, duke i’u dhënë mundësinë që nomadët të mos konsiderohen rezidentë tatimorë për një vit”, tha ministrja.
Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të mjedisit të duhur me qëllim që këto biznese të zhvillohen dhe nxiten për ndërtimin e infrastrukturës digjitale në vend.
“Kemi potencialin e duhur për të çuar para këtë sektor dhe në vitet në vijim do të zërë një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit”, tha Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, ajo theksoi se, është duke u punuar fort edhe me qëllim rritjen e kapaciteteve të të rinjve për të qenë të aftë për të punuar në këtë ekosistem, i cili është shumë dinamik dhe aftësitë dhe nevoja për dije është në ndryshim.