Nacionalizmi i Lidhjes së Prizrenit

Para rendësja e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit


Nga Dr. Dorian Koçi

Pothuajse në të gjithë literaturën ekzistuese rreth lindjes dhe shfaqjes të nacionalizmit mes shqiptarëve nënvizohet fakti se kjo rrymë pati vështirësi për tu përqafuar nga ta dhe se u zhvillua më vonë se në etnitë dhe popullsitë e tjera të Ballkanit. Në këtë përcaktim dhe konkluzion arrihet duke pasur parasysh faktin se shqiptarët formuan të fundit shtetin e tyre kombëtar në Ballkan dhe se procesi i formimit të kombit shqiptar rrjedhimisht ishte më i ngadalshëm. Ky konstatim sigurisht që mbulon një pjesë të madhe të së vërtetës por duhen nënvizuar disa aspekte që meritojnë vëmendje, të cilat përpiqen që nacionalizmin dhe zgjimin kulturor te shqiptarët ta shtyjnë përtej datës së dërgimit të letrës së Naum Veqilharxhit, nipit të vet Jani Cales, datë dhe letër që përgjithësisht nga historiografia zyrtare shqiptare mbahen si datat e fillimeve të zgjimit kulturor të tyre dhe vitit 1878, vitit emblematik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që mbahet si viti i shprehjes së nacionalizmit shqiptar.

Kështu p.sh studiuesi Dritan Egro në artikullin e vet “Rrënjët e Nacionalizmit Shqiptar” duke u nisur nga një ngjarje e shënuar e afirmimit të kombësisë shqiptare si ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit nënvizon faktin se zhvillimet politike ndërkombëtare që çuan në krijimin Lidhjes së Prizrenit nxorën në pah një nivel të avancuar jo të mendimit, por të veprimit politik të nacionalizmit shqiptar. Kjo na bën të mendojmë se format më të hershme të tij duhet t’i kërkojmë edhe më herët. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shënohet atëherë kur një individ apo një grup individësh shpallin se ai komb ekziston dhe ai/ata individë marrin përsipër ta provojnë një realitet të tillë. Pra, gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli lind kur lind mendimi politik për të jetuar më vete, kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare. Pikërisht kjo ndarje midis mendimit dhe veprimit besoj se është thelbësore për të trajtuar fillesat e nacionalizmit shqiptar, parë kjo dhe në një rrafsh krahasues sidomos me zhvillimet e Revolucionit Grek, si revolucion që tronditi gjithë botën Ballkanike.

Pas këtij zhvillimi të vrullshëm që po kalonin territoret greke që po fitonin pavarësinë prej Perandorisë Otomane, natyrshëm shtrohet pyetja se në se statusquo-ja politike ndryshon si rezultat i një konstelacioni të ri politik, është krejt e natyrshme që elementët e çdo grupi të caktuar etnik brenda një formacioni shtetëror multietnik të tentojnë të vënë në pah ato elementë që ata i bashkojnë, madje të shkojnë edhe më tej, duke insistuar për të ekspozuar veten si një grup me veçori të spikatura, të ndryshme nga të tjerat, për më tepër nga fqinjët, duke e bërë atë të jetë sui generis. Është logjike të mendosh që vetëm kështu çdo grup etnik të luftojë për të siguruar mbijetesën, madje në kushte optimale të aspirojë edhe për sundim mbi fqinjët.Të njësosh mendimin me aksionin politik si bëjnë disa studiues të huaj që kanë studiuar nacional shqiptar si Nathalie Clayer dhe Nura Bozbora përkatësisht në veprat “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” dhe “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane” është njëlloj si të thuash se nacionalizmi në Greqi lindi në vitin 1821 dhe të përjashtosh një periudhë disa vjeçare para kësaj date që e analizuam më lart.

Dr. Dorian Koçi

 

Një mendim interesant ka shprehur dhe studiuesi e publicisti Tajar Zavalani në artikullin e tij “Nacionalizmi shqiptar” (1969). Është interesant fakti që Zavalani është i pari që tregon se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar në periudhën e pashallëqeve. Gjithsesi deri më tash nuk ka akoma fakte bindëse për të mbrojtur këtë tezë dhe ndoshta një studim më i thelluar i dokumentacionit edhe në gjuhët osmanishte, greqishte sllavishte do të hidhte më shumë dritë mbi këto çështje të debatuara si p.sh dokumenti që përmend Egro në artikullin e vet të shkruar nga gjyshi i Ismail Qemal Vlorës.

Interesant në këtë letër është fakti që përveçse fjalisë të “mblidhemi për të diskutuar rreth avenirit të vendit tonë” fill pas zhvillimeve të konfliktit të zgjatur greko-otoman, është dhe përdorimi i termit vatan nga një term tradicionalisht i përdorur në gjuhën politike të Islamit në kuptimin atdhe i myslimanëve (homeland of muslims), në këtë dokument përdoret me kuptimin atdhe kombëtar (patria). Ndoshta ky dokument është nga të parët në gjuhën politike osmane kur ky term pëson një ndryshim të tillë semantik.Ekzistenca e këtij dokumenti, i shkruar nga një përfaqësues i denjë i elitës shqiptare myslimane të kohës hedh dritë dhe mund të fillojë të dekonstruktojë një klishe që është vërejtur në studimet rreth nacionalizmit të shqiptarëve , ku zakonisht zgjimi kombëtar dhe kulturor është parë më së pari në pjesët e popullsisë shqiptare që i kanë përkitur besimeve kristiane dhe më vonë në ato që i përkisnin besimit islam. Kjo tendencë për ta parë zgjimin kulturor dhe aksionet politike të shqiptarëve në këtë lloj mënyre shpesh herë ka theksuar partikularizmin e ndjenjës nacionale dhe identitetit kombëtar të popullsisë shqiptare sesa unitetin shpirtëror që mesa duket zotëronte kjo popullsi, përderisa në fillimet e shekullit të XX mundi të krijonte shtetin e vet kombëtar të bazuar në modelin e shtetit komb dhe të inspiruar nga nacionalizmi.

Para rendësja e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kuvendi në të cilin nacionalizmi shqiptar u shpreh në një formë të pjekur e të maturuar, me kërkesa të qarta për autonomi dhe zhvillim kombëtar. Në politologjinë shqiptare dhe në atë të huaj që flitet për Shqipërinë, është shkruar shumë për rëndësinë e këtij kuvendi, si dhe për vendimet që u ndërmorën aty, vendime që pranohen gjerësisht se janë shprehja e parë e kombësisë për shqiptarët në kuptimin modern të kësaj fjale. Mirëpo, edhe pse ky fakt është gjerësisht i njohur, data 10 qershor nuk ka hyrë në asnjë kalendar zyrtar si ditë përkujtimore dhe për më tepër vetëm nëpër përvjetorë ka marrë një vëmendje institucionale. Natyrisht, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shumë e rëndësishme se një përkujtim formal i ndërmarrë nga dy shtete shqiptare në rajon dhe mesazhet e saj janë bërë pjesë e artikulimeve politike të kombit shqiptar gjatë gjithë historisë së mëvonshme të tij. Pikërisht në këtë forcë përcjellëse mesazhesh dhe në trashëgiminë politike që ka krijuar, qëndron rëndësia e veçantë e Lidhjes dhe e datës 10 qershor si datë simbolike e themelimit të saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit vjen si një histori qëndrese, pasi kishte kundër vetes vullnetin e pothuajse gjithë Fuqive të Mëdha të kohës dhe kundërshtoi çdo vendim të gabuar të tyre rreth tërësisë territoriale të shqiptarëve. Edhe pse aksioni i saj nuk rezultoi tërësisht i suksesshëm, pasi një qytet i banuar tërësisht me shqiptarë si Ulqini iu bashkëngjit pa të drejtë Malit të Zi, mesazhi i qëndresës ndaj vendimeve të padrejta të ndërkombëtarëve rreth çështjes shqiptare është aktual edhe sot. Me këmbënguljen e tyre stoike për të mos e bërë atdheun e vet plaçkë tregu, shqiptarët e asaj kohe u treguan ndërkombëtarëve se parimi i vetëvendosjes si parim universal i kombësive duhej përfshirë në gjeopolitikën e tyre në rajon dhe se asnjë popullsi që fati i keq mund ta kish detyruar të tretej në tisin e historisë nuk duhej nënvlerësuar.

Burimet:
1-Natalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përpjekja:Tirana, 2009
2-Historia e Popullit Shqiptar.Vëllimi i II. Toena:2002
3-Myslim Islami. Jeta e Naum Veqilharxhit. Shtëpia botuese 8 Nëntori: Tiranë. 1978
4-Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Botim II, Phoenix, Tirane, 1998
5- Nura Bozbora. Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane. Dituria: Tiranë, 2002
6- Dritan Egro “Rrënjët e nacionalizmit shqiptar” Gazeta Panorama, 5.03.2009

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…