“Britmat pa zë” të Mikel Temo
Në ekspozitën e fundit, ku ai i shfaq publikut një cikël autoportretesh, Mikel Temo na vjen i zhveshur nga imazhi konvencional i pasqyrimit të asaj që sheh një sy i zakonshëm. Mikeli e zbërthen imazhin përtej asaj që ne shohim.
Nga Genci Përmeti
Mikel Temo është një artist, i cili gjatë katër dekadave ka lëvruar gjinitë e arteve vizuale në pikturë, skulpturë dhe grafikë. Aktualisht, ai jep ndihmesën si pedagog i pikturës dhe drejtues i Programit të Pikturës Monumentale në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Prej fundit të viteve ‘90, Mikel Temo jeton mes Francës, Kanadasë dhe Shqipërisë.
Gjatë jetës artistike, Mikeli ka eksperimentuar mes imazhit dhe mjetit, duke pasur si lajtmotiv gjendjen e brendshme shpirtërore të vetë artistit, por dhe të qenies njerëzore.
Kjo u atribuohet njohjeve të tij të thella në artin e anatomisë, mjeshtërisë së lartë në interpretimin e vizatimit, vetëdijes artistike në krijimin e paletave koloristiske, trajtimit mjeshtëror të plastikës, si dhe virtuozitetit në përdorimin e mjeteve dhe mediumeve, duke krijuar situata origjinale të teksturave piktorike.
Në krijimtarinë e tij reflektohen ndryshimet ekonomike, politike, sociale dhe kulturore në vendin tonë gjatë 40 viteve të fundit.
Nga arti realist, me një përqasje moderniste, drejt një stilizimi të realitetit deri në kufijtë e ekspresionizmit abstrakt, dhe më pas kthimi në një lloj realizmi bashkëkohor, ku ccdokush mund të gjejë një pjesë të tij brenda kuadrit.
Mikel Temo njehsohet me shikuesin, duke i ofruar atij të bëjë një udhëtim brenda kuadrit, si pjesë tërësore përmes një palete të përmbajtur koloristike ku në përgjithësi ngjyrat e tokës janë përherë të pranishme.
Në ekspozitën e fundit, ku ai i shfaq publikut një cikël autoportretesh, Mikel Temo na vjen i zhveshur nga imazhi konvencional i pasqyrimit të asaj që sheh një sy i zakonshëm. Mikeli e zbërthen imazhin përtej asaj që ne shohim.
Ai arrin të hyjë brenda tij, duke hulumtuar në skutat e fshehta të qenies, duke na dhënë një zbërthim 360 gradë të asaj që individi përjeton në përditshëmërinë e tij, nga momentet e qeta idilike në shpërthime revolte, ku artisti refuzon të pranojë realitetin e dhënë si një qenie të pakompromistë.
Ndaj dhe ky cikël jo rastësisht quhet “Britma pa zë”.
Njohës i mirë i figurës njerëzore dhe interpretimit njerëzor, ai fillon të zhveshë veten nga imazhi i drejtpërdrejtë dhe ta shpërbëjë atë drejt një qëndrimi dekonstruktiv, ku struktura anatomike duket shpërthyese, mjet i cili e thekson tensionin dramatik që artisti këmbëngul të transmetojë.
Në këtë ekspozitë, Mikel Temo bën një kapërcim ndaj asaj që na është ofruar më parë, që ka hulumtuar në të kaluarën. /MONITOR