Rama: Aeroporti i Vlorës po merr formë dita-ditës
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të kantierit teksa bëri të ditur se ka filluar të marrë formë dita-ditës.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të kantierit teksa bëri të ditur se ka filluar të marrë formë dita-ditës.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës ka filluar të duket në sipërfaqe e që po merr formë dita-ditës, për ta shndërruar atë në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar”, u shpreh Kryeministri Rama në rrjetet sociale.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA dhe TIA do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.
Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë Jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.
Me veprimtarinë e aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë.