Vodafone Albania kalon 100% në pronësi në Vodafone Europe
Vodafone Albania është sot kompania më e madhe e komunikimeve elektronike në Shqipëri për nga vlera e qarkullimit vjetor.
Kompania Vodafone Panafon International Holdings B.V. ka shitur 50% të aksioneve që zotëronte në kompaninë Vodafone Albania tek ortaku tjetër i shoqërisë, shoqëria Vodafone Europe B.V. Sipas marrëveshjes së shitjes, vlera e transaksionit është afërsisht 27.2 milionë euro.
Të dy kompanitë e përfshira në transaksion janë kompani holding të regjistruara në Hollandë dhe që zotërohen në masën 100% nga grupi Vodafone (Vodafone Group Plc). Në këtë kuptim, shitblerja e aksioneve nuk sjell ndryshime për sa i takon kontrollit përfundimtar mbi kompaninë.
Megjithatë, edhe për shkak të pranisë së Vodafone Panafon International Holdings si aksionere, përgjithësisht Vodafone Albania ka qenë në sferën e menaxhimit të kompanisë greke të grupit Vodafone, Vodafone Greece (Vodafone-Panafon Hellenic Telecommunications Company SA).
Pjesa më e madhe e menaxherëve të lartë të kompanisë kanë ardhur nga Vodafone Greqi, me përjashtim të ish-drejtorit Dietlof Mare dhe të drejtorit të sapoemëruar, hungarezit Balázs Révész.
Vodafone hyri në tregun shqiptar në vitin 2001, duke fituar tenderin për licencën e dytë kombëtare të telefonisë celulare, ndërsa në vitin 2020 hyri edhe në tregun e shërbimeve të komunikimit me linja fikse.
Vodafone Albania është sot kompania më e madhe e komunikimeve elektronike në Shqipëri për nga vlera e qarkullimit vjetor. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat totale të Vodafone Albania nga komunikimet elektronike vitin e kaluar arritën ën afërsisht 16 miliardë lekë ose afërsisht sa 34% e volumit total të tregut të komunikimeve elektronike
Vodafone Albania ngelet dominuese në segmentin e shërbimeve celulare, ku vitin e kaluar zotëronte rreth 52% të tregut, me të ardhura nga komunikimet elektronike prej afërsisht 13.2 miliardë lekësh. Megjithatë, pas bashkimit mes ONE Telecommunications dhe Albtelecom, kompania e re One Albania ka marrë kryesimin e tregut për nga numri i përdoruesve aktivë, me rreth 53% të totalit, kundrejt 47% të tregut që mbahet nga Vodafone Albania.
Vodafone Albania hyri në tregun e shërbimeve fikse të komunikimit në vitin 2020, duke blerë ish-operatorin e shërbimeve fikse, Abcom. Qysh atëherë, Vodafone ka raportuar rritje të numrit të abonentëve dhe të pjesës së tregut.
Vitin e kaluar Vodafone arriti të thyejë dominimin historik të Albtelecom në tregun e internetit me linja fikse, të matur sipas numrit total të abonentëve. Në fund të vitit 2022, Vodafone raportonte mbi 126 mijë abonentë në shërbimin e internetit me brez të gjerë, shifër që përbën afërsisht 21.7% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut.
Megjithatë, Vodafone ngelet e dyta në tregun e shërbimeve fikse për nga vlera e të ardhurave, me rreth 2.7 miliardë lekë ose 21% të tregut fiks për vitin 2022. Megjithë rënien, Albtelecom (sot One Albania) ende kryesonte tregun sipas totalit të të ardhurave, me 26%. /E.Shehu – Monitor.al