Kumbaro: Rikualifikim i peizazheve dhe informacion turistik për vizitorët në pikat kufitare
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u ndal në Hanin e Hotit në Shkodër, një pikë kufitare për kalimin si të pasagjerëve dhe vizitorëve, ashtu edhe të mallrave.
Në vazhdim të punës që ka nisur për rikualifikimin e peizazheve të të gjitha pikave hyrëse të vizitorëve, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u ndal në Hanin e Hotit në Shkodër, një pikë kufitare për kalimin si të pasagjerëve dhe vizitorëve, ashtu edhe të mallrave.
Ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e projektit të rikualifikimit të peizazheve për t’iu ofruar një mikpritje dhe përcjellje dinjitoze vizitorëve që hyjnë në vendin tonë.
“Në vazhdimin e të gjithë punëve që po bëhen nga një pikë hyrëse në territorin e Republikës së Shqipërisë në tjetrën, sot jemi ndalur në Hanin e Hotit, ku të gjithë bashkë jemi angazhuar për një mikpritje më të mirë të gjithë vizitorëve, si për t’iu dhënë ndjesinë e mirë atyre që na vijnë, po ashtu dhe për t’iu uruar rrugë të mbarë vizitorëve dhe turistëve që kanë vizituar Shqipërinë”, u shpreh Kumbaro.
Kumbaro u shpreh se është shumë e rëndësishme që në pikat kufitare, vizitorët e huaj të pajisen me një informacion të pasur mbi destinacionet dhe programet turistike që mund të gjejnë në Shqipëri.
“Bashkë me Muriqanin janë dy porta kryesore në veriperëndim të Shqipërisë, nëse vitin e kaluar kishim 7.5 milionë vizitorë, këtë vit shifrat janë 50-60 % më të larta për muajt e parë të vitit”, tha Kumbaro.
Për vitin 2022, nga pika doganore e Hanit të Hotit kanë hyrë 1.3 milionë pasagjerë dhe udhëtarë.