Romani që më përndezi farën e revoltës

Dy librat e Sherif Bundos: “Një pyetje e vështirë” (tregime) dhe romanin “Fara e revoltës”.


Nga DR. ALBERT GJOKA

Në letrat shqipe ka ndodhur shpesh që shkrimtarë me formim nga fusha të tilla si shkencat apo ekonomia të lënë gjurmë të forta si krijues: Konkretisht, Mitrush Kuteli me profesion ekonomist, ka mbetur si mjeshtri i rrëfenjave dhe tregimit; Betim Muço me profesion fizikan, Fatos Kongoli me profesion matematikan, apo edhe Gjovalin Gjadri me profesion inxhinier ndërtimi dhe projektues, i cili krahas veprave të arrira inxhinierike në infrastrukturën rrugore, na ka lënë edhe një roman epistolar, i pa të dytë në letërsinë shqipe.

Në këtë radhë do të listoja pa mëdyshje edhe Sherif Budon, profesorin e njohur të financave, ekspertin e spikatur të kontabilitetit, “gurunë” e parasë/kapitalit, trajnuesin e zellshëm të sipërmarrjes. Krahas angazhimit profesional si pedagog, me pasionin e pazakontë për letërsinë, ai kësaj radhe ka sprovuar me guxim edhe lëvrimin e tregimit dhe romanit, duke hedhur në qarkullim dy libra: “Një pyetje e vështirë” (tregime) dhe romanin “Fara e revoltës”.

Pasi e mbarova së lexuari romanin e Bundos, më erdhi ndër mend romani i Delia Owens, “Atje ku këndojnë karavidhet”. Prej 4 vitesh, romani i biologes së njohur në profesion kryeson listat botërore të shitjes, duke mbajtur të mbërthyer interesin e lexuesve në mbarë botën. Kjo shkencëtare të befason edhe artistikisht me rrëfimin dhe sintezën e saj se realiteti që ndërtojnë kafshëve është më human sesa ai i njerëzve. Një sprovë të ngjashme në tipologji ndërton edhe profesori i kontabilitetit Sherif Bundo me romanin e tij social, duke vënë përballë pushtetin e dijes që artikulohet dhe përfaqësohet nga institucionet universitare dhe akademike dhe autoritetin e shtetit dhe pushtetit.

Fatkeqësisht, ne jemi të kapluar nga “pushteti i forcës dhe parasë”, madje, sot më shumë se kurrë, a thuaj se na ka përndjekur ndër shekuj mallkimi i zgjedhjes së heroit mitik të legjendës, Mujit, të cilin kur e pyetën zanat nëse donte forcë, gjuhë, dije, apo bukuri; në fund, ai zgjodhi forcën si mjetin që i duhej për të rrahur shokët e tij, sa herë që dilte në katund. “Arsyeja e forcës” është aq e ngulitur në mendësinë tonë, në buste e monumente, në muzeume, në libra shkollash dhe në raportet që ndërtojmë në familje, shoqëri dhe kudo, saqë të duket e vështirë për ta këmbyer me mendësinë e dijes; përmes formimit të institucioneve të edukimit, arsimimit dhe rritjes.

Përkundër kësaj, “forca e arsyes” dhe pushteti i dijes janë bjerrë aq shumë saqë njerëzit e shkencës, mendjet e ditura dhe vlerat e kulturës janë shpërfillur e harruar nëpër stenda, kthina, apo qoshe: Edhe kur i përmendin ndonjëherë, ata janë pjesë e ndonjë spektakli, që shërbejnë si dekor për të kënaqur egot e atyre që mishërojnë pushtetin e forcës.

U zgjata sepse romani “Fara e revoltës” sjell pikërisht këtë realitet 33 vjeçar që na thyen hundët përditë, me “arsyen e forcës”, teksa institucionet e dijes dhe “punëtorët” e saj, shpërfillen, nënvlerësohen dhe përjashtohen.

Për të gjithë lexuesit që i kanë jetuar tri dekadat e tranzicionit këtë roman do ta bëjnë pjesë të leximit pa mëdyshje; sepse në çdo faqe do t’iu sjellë ndërmend zhvatjen e pronës shtetërore në kapërcyell të ndërrimit të sistemeve, filozofinë e shkatërrimit të çdo gjëje në emrin e ideologjisë së re antikomuniste, migrimin e brendshëm pa plan dhe ndërtimet pa leje pa kriter, fajdetë, shkatërrimin e vendit në vitet 1996-97, shkërmoqjen e institucioneve, degradimin e sistemit arsimor, shkatërrimin e tregut të punës, dhe kështu me radhë.

Ngjarjet e romanit nisin me farat e ideve që hedhin një grup pedagogësh të Fakultetit Ekonomik, për organizimin e një konference shkencore rreth zhvillimit të vendit të sapodalë nga regjimi komunist, me fokus reformat, privatizimin, politikat monetare, investimet, menaxhimin e lëvizjes së popullatës, reformën territoriale, qeverisjen vendore, asistencën e huaj, përgatitjen e administratës publike, etj. Kjo nismë, që buroi sinqerisht nga universiteti si institucioni i dijes, bie ndesh me filozofinë destruktive që kishte përqafuar shteti dhe pushteti i ri, i cili qasjen liberale në emër të antikomunizmit e shndërroi në një mendësi komuniste.

Në këtë roman tregohet historia e 9 pedagogëve të cilët shkarkohen nga puna dhe përndiqen nga pushteti. Në fokus është Genti Selishta, i cili pas shkarkimit nga detyra, nuk tërhiqet nga misioni i tij për të thënë të vërtetën, për të kontribuar si intelektual i angazhuar dhe pas pushimit nga puna si gazetar ekonomie në një gazetë të madhe, duke denoncuar të gjitha shkeljet që bënte pushteti asokohe me privatizimet, me fajdetë, etj. Edhe si përfaqësues i pushtetit mediatik, ai përndiqet, madje, organizohet një pritë për ta ekzekutuar.

I gjithë romani është ndërtuar mbi marrëdhënien e individit të dijes përballë autoritetit, një qasje e trajtuar shumë rrallë në letrat shqipe të pas viteve ’90, por një tematikë e trajtuar thellësisht nga letërsia cilësore e përbotshme e shekullit të XX. Autori e ndërton përballjen mes institucioneve të dijes dhe strukturave të shtetit dhe pushtetit si një luftë jetë a vdekje, kur në fakt do të duhej të ishte një raport ndërveprues krejt i natyrshëm dhe me përfitime të ndërsjella mes tyre. Kryevepra të tilla si “Revolta e Atlasit” e Ayn Rand apo “1984” i George Orwell e rrokin më së miri marrëdhënien mes individit dhe autoritetit. Kjo lloj letërsie ka edhe emra të tjerë, të cilët janë të njohur si lëvruesit e romanit të ideve, dhe si i tillë edhe “Fara e revoltës” synon të ecë në këtë hulli, sepse idetë këtu janë burim energjie dhe jo aspekte të tjera.

Këtë konflikt të ashpër sjell në të gjitha përmasat autori i romanit “Fara e revoltës”. Përvoja akademike në fushën e tij, e ndihmon autorin që të ndërtojë një mjedis të gjallë dhe të besueshëm të ngjarjeve dhe personazheve para lexuesve. Reflektimet për paranë, për kapitalin, bota e egër e biznesit dhe mënyra sesi ndikojnë ato në formësimin e individit vijnë të përshkruara mjeshtërisht në roman. Personazhe të tillë gobsekiane, si Shyqo apo Bakiu janë viktima të natyrshme të një sistemi edukimi të dështuar për financat personale, tregjet, investimet, etj.

Romani ka një gjuhë të gjallë, të mbushur me dialektizma, neologjizma, edhe falë profesioneve, përvojave apo pasioneve të autorit, të cilat shënjojnë vlera domethënëse. Është e kuptueshme që tek një autor që shkruan për herë të parë roman, të mos ndiqen rreptësishtë instancat narrative dhe kohët e romanit, por thelbi i përmbajtjes dhe idetë shkojnë përtej formës, strukturës narrative. Stili i diskursit akademik është mbizotërues, shtrimi i pyetjeve të shumta përgjatë gjithë tekstit e vë lexuesin në një kontekst specifik receptimi dhe përfshirje sfiduese, a thua sikur lexuesi është studenti përballë profesorit rrëfimtar.

Bagazhi i leximeve cilësore i jep dorë autorit që të krijojë një strukturë të qëndrueshme të romanit, i përngjashëm me romanin social që lëvrohet sot kudo nëpër botë, me synimin për të lexuar më qartë mjedisin që na rrethon, ku kufijtë mes fictionin dhe non-fictionit janë vështirësisht të dallueshëm.

Për lexuesin që i ka përjetuar këto ngjarje, leximi i romanit do të jetë thjeshtë një kthim në kujtesë, një risjellje e momenteve më kritike të shoqërisë tonë të tranzicionit dhe një mundësi për të reflektuar për gabimet më të rënda që ka bërë shoqëria shqiptare në tri dekadat e fundit, kryesisht elitat tona politike, por edhe akademike. Për dikë nga bashkësia e lexuesve që e ka jetuar këtë periudhë, kjo narrativë mund të krijojë edhe keqkuptime në receptimin e veprës, por besoj se nuk është ky qëllimi as i autorit dhe as i veprës. E shkuara e secilit prej nesh, përfshirë edhe ajo e autorit, i cili ka qenë pjesë e politikës dhe qeverisjes në një moment të caktuar, fundja përcaktohet nga mënyra sesi reflektojmë; nga distancimi ndaj gabimeve, nga kontributet që japim çdo ditë dhe nga veprat që lëmë pas. Libri nuk lë pa fshikulluar as elitat akademike të cilat për hir të interesave personale tradhtuan parimet mbi të cilat ndërtohet pushteti i dijes, duke humbur shpeshherë besimin te publiku. Një rrënim i tillë vijon edhe sot, paçka se kjo justifikohet lehtësisht me ndërhyrjen e politikës.

Për një lexues të brezit të ri, që nuk i ka jetuar ngjarjet mbi të cilat formësohet romani, dhe që e ka të pamundur të bëjë asociacione me personazhe apo momente historike, do të ketë një receptim ndryshe, më të gjallë dhe më përftues, në funksion të ideve që boshtëzojnë veprën.

Romani ka një qasje të fortë angazhuese, ku secili prej nesh e gjen vetveten me të mirat dhe dobësitë e tij dhe përtej saj, ky tekst na fton që të reflektojmë për marrëdhëniet që duhet të ndërtojnë pushtetet me njëri-tjetrin, konkretisht institucionet e dijes me pushtetin; për mënyrën sesi individi/intelektuali duhet të ndërtojë raportet me autoritetin dhe, së fundi, për mënyrat sesi mund të kontribuojë secili prej nesh për një shoqëri më të mirë. Për autorin zgjidhjet gjenden tek familja, shkolla dhe universitetet të cilat nuk duhet të jenë “dhoma gazi”, por vatra drite, që duhet të frymëzojnë ide dhe të motivojnë të rinjtë. I pazakontë është edhe “betimi i mësuesit”, të cilin duhet ta jetësojë çdo arsimtar në profesionin e tij. Ky roman është edhe apologjia për lirinë akademike dhe rolin që duhet të luajnë universitetet në jetën e një vendi.

Për aq kohë sa shteti apo pushteti investon më shumë tek policia apo ushtria sesa tek arsimi; për aq kohë sa një shërbëtore ministri apo një badiguard paguhet më shumë sesa një mësues apo pedagog; për aq kohë sa tolerohet abuzimi i pamasë i pushtetit nuk shihet në pasqyrë me përgjegjësinë e qytetarit; për aq kohë sa fytyra e shtetit shfaqet me njerëzit e padijes, muskujt e antiligjit, “pushteti i forcës” do të asgjësojë çdo përpjekje që të lartësojmë institucionet e dijes.

Një shoqëri si e jona ka nevojë për një lloj narrative të tillë, që boshtëzohet në këtë roman, – ka nevojë për një shkundje, sidomos brenda elitave universitare; ka nevojë për një realitet tjetër nga ai që ndeshim përditë në të gjitha mediumet që na rrethojnë dhe na manipulojnë në çdo sekondë të jetës tonë. Ajo çfarë sjell ky roman është ndryshe nga ajo që shohim përnatë në ekrane tona; është një përpjekje për të parë më qartë mjedisin tonë, për të kuptuar më mirë raportet tona si individë përballë shoqërisë së zhbërë dhe autoritetit, shpeshherë i shurdhët dhe kokëfortë, është një kambanë alarmi për vëmendjen që duhet t’iu kushtojmë institucioneve që prodhojnë edukimin; që nga familja, shkolla dhe universiteti. Shoqëritë që nëpërkëmbin institucionet e dijes, janë të destinuara që të kalojnë në kriza, të falimentojnë, të shkatërrohen apo edhe të zhduken. Ka plot kultura dhe qytetërime që janë zhdukur në histori për këtë arsye. Institucionet e dijes janë garancia për zhvillimin e shoqërisë njerëzore, prandaj duhet investuar fort dhe mbështetur. Ky roman shkund nga letargjia edhe “intelektualin e paangazhuar”, një specie e pazakontë që trashëguam nga e kaluara komuniste, individin indiferent ndaj mjedisit përreth, mësuesin, pedagogun dhe çdo individ tjetër me përgjegjësi qytetare. Kur njerëzit e dijes heshtin, apo kur bëhen palë me pushtetin, shoqërisë i shtohen vargonjtë. Pikërisht, për këtë arsye, ky roman më përndezi revoltën: Revoltën që sakrifikon për hir të “dashurisë për veten, familjen, atdheun dhe kombin”.

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…