Rrumbullaku: Rezistencë e organizuar nga MEK, u sekuestruan materialet që tentuan t’i djegin
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, informoi lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit në kampin e organizatës MEK.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, informoi sot lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit në kampin e organizatës MEK.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, Rrumbullaku tha se “me marrjen dhe njohjen e vendimit të gjykatës nga ana ime si drejtor i i Policisë së Shtetit kam dërguar shkresë zyrtare për të gjithë drejtuesit e MEK për takimin zyrtar të ditës së sotme. Në orën 8 të mëngjesit, së bashku me disa drejtues policie të nivelit të lartë kemi thirrur në takim dhe na janë përgjigjur në takim 6 drejtuesit kryesorë të kampit MEK. Përgjatë një ore kemi sqaruar në detaje gjithçka përfshihet për vendimin e gjykatës për lejimin e kontrollit në të gjitha godinat si dhe qëllimin për të cilën motivohej në vendimin e gjykatës së posaçme”.
“Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre në momentet e para, ku pas takimit zyrtar jemi adresuar në hyrje të kampit, ku kemi kërkuar hapjen e portave respektive. Bashkë me drejtuesit jemi futur në ambientet e të gjithë territorit. Pas këtij momenti ka nisur faza e kontrollit në të gjitha ambientet, ku për rreth 2 orë të kontrollit, për shkak të numrit të madh të objekteve, pasi nga ana jonë u konstatua paligjshmëri në raport me kërkesat e vendimit të gjykatës sa i përket evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjeve kompjuterike gati në 17 objekte, nisi një rezistencë e organizuar e kampit MEK duke mos lejuar vendimin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës”, nënvizoi Rrumbullaku.
Sipas tij, pas këtij momenti është kaluar në vetëpërmbajtje ekstreme nga ana e policisë dhe në asnjë rast nuk është përdorur dhunë nga policia.
“I vetmi mjet për realizimin e qëllimit të gjykatës kanë qenë sprajtët individualë të efektivëve të Policisë së Shtetit. Nga gjithë kjo përballje policia mbeti viktimë e dhunës së tyre, dhe jo rezidentët. Nga ana jonë është përdorur vetëm spraj individual që nuk ka sjellë asnjë pasojë jetësore te rezidentët. Ne kemi të dëmtuar 15 punonjës policie, si dhe mjete policore. Nga ana e tyre janë dëmtuar 21 shtetas, ku 15 prej tyre kanë lënë qendrat spitalore dhe janë rikthyer në vendbanimin e tyre”, sqaroi Rrumbullaku.
Ai theksoi se “veprimet e policisë kanë qenë totalisht të ligjshme, pa kaluar asnjë limit për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Janë sekuestruar në cilësinë e provës 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 3 karta memorie dhe materiale të bollshme që u tentuan të asgjësoheshin me djegie nga disa anëtarë të MEK”.
“Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për kundërshtimin me dhunë të kontrollit të policisë së shtetit. Gjatë kohës që kryheshin veprimet për zbatimin e vendimit të gjykatës nga drejtuesit e MEK janë bërë me dije që në qendrën e emergjencës së tyre ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë. Për këtë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i prokurorisë rrethi gjyqësor Durrësit, është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të shmangur konfliktin e interesit të Policisë. Por ju siguroj që pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të nxirrni konkluzionin tuaj dhe nuk dua të prononcohem më gjatë për këtë çështje”, tha Rrumbullaku. /ATSH