Rama: Pa u liruar tre policët e Kosovës, s’ka hapësirë për përparim
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell në përfundim të takimeve që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.
Në një postim në twitter, Rama deklaron se pa u liruar 3 policët e Kosovës që po mbahen të arrestuar në Serbi, nuk do të ketë asnjë përparim të vërtetë.
Rama thekson se sapo policët të kthehen në shtëpi, Franca dhe Gjermania duhet të ndërhyjnë me veprime të forta për të ndaluar këtë asburditet të tensioneve në veri të Kosovës.
“Pa tre djemtë që largohen shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! POR Gjëja e parë: Lironi 3 policët!”, shkruan Rama.
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka theksuar se në takimet që i ka pasur të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.
Borell ka thënë se takimi i sotëm nuk u fokusua në shumë çka, por në atë se si dhe kur – si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut.