Festivali Folklorik Kombëtar hap siparin sot në Gjirokastër
1200 artistë, nga 12 qarqet e vendit, trojet shqipfolëse dhe diaspora do të ngjiten në skenë
Pas 8 vitesh mungesë, Festivali Folklorik Kombëtar do të hapë siparin sot në qytetin e Gjirokastrës. 1200 artistë, nga 12 qarqet e vendit, trojet shqipfolëse dhe diaspora do të ngjiten në skenën e ngritur në qytetin e gurtë për të performuar.
Por Gjirokastra do të ketë edhe 90 të ftuar specialë nga Spanja, Maqedonia e Veriut, Franca.
Koncerte do të ketë jo vetëm në kala, por edhe në sheshin ’Cerciz Topulli’ të këngëtarëve si Dren Abazi, Eranda Libohova, Vëllezërit Korçare, Marsela Cibukaj, Era Rusi etj.
Në prag të çeljes së Festivalit ka një shtim të fluksit të turistëve të huaj dhe vendas, të cilët do të përcjellin dhe netët e festivalit për t’u njohur më nga afër me kulturën tonë popullore që vjen nga lashtësia dhe përcillet nga brezi ne brez.
Edhe për artizanët gjirokastritë ashtu si për hotelet, restorantet dhe bujtinat, ritmi i punës është shumë i madh diktuar nga prania e pjesëmarrësve në festival dhe admiruesve të shumtë të artit popullor që vijnë nga brenda dhe jashtë vendit.
Festivali përveçse një aktivitet i madh kulturor është dhe një shans i madh për zhvillimin e turizmit në qytet dhe shtimin e të ardhurave për bizneset vendase.
Festivali Folklorik Kombëtar do të zgjasë një javë, ndërsa do të transmetohet drejtëpërdrejtë në RTSH.
/rtsh.al/