Presidenti Putin i quan “tradhti” veprimet e grupit Wagner brenda Rusisë

Presidenti rus Vladimir Putin u zotua të shtunën të mbrojë vendin nga një kryengritje e armatosur e shpallur nga shefi i mercenarëve rusë Yevgeny Prigozhin


Presidenti rus Vladimir Putin u zotua të shtunën të mbrojë vendin nga një kryengritje e armatosur e shpallur nga shefi i mercenarëve rusë Yevgeny Prigozhin, që presidenti Putin e quajti një “thikë pas shpine” për Rusinë.

“Të gjithë ata që përgatitën kryengritjen do të pësojnë ndëshkimin e pashmangshëm. Forcat e armatosura dhe agjencitë e tjera qeveritare kanë marrë urdhrat e nevojshëm”, tha Presidenti Putin në një fjalim televiziv drejtuar vendit.

Yevgeny Prigozhin, pronar i kompanisë ushtarake private Wagner, konfirmoi të shtunën në mëngjes se ai dhe trupat e tij arritën në një qytet të rëndësishëm rus pasi kaluan kufirin nga Ukraina.

Prigozhin postoi një video të tij në Rostov-on-Don në selinë ushtarake ruse që mbikëqyr luftimet në Ukrainë. Ai pretendoi se forcat e tij kishin nën kontroll objektet ushtarake në qytet përfshirë aeroportin. Video të tjera të postuara në rrjetet sociale shfaqën automjete ushtarake, duke përfshirë tanke, në rrugë.

Presidenti rus Putin e dënoi kryengritjen në një kohë kur Rusia po zhvillon “betejën më të ashpër për të ardhmen e saj” me luftën në Ukrainë. “E gjithë makineria ushtarake, ekonomike dhe informative e Perëndimit është drejtuar kundër nesh”, tha ai.

Prigozhin tha se forcat e tij nuk u përballën me rezistencë nga rekrutët e rinj në pikat e kontrollit ndërsa ata kaluan në Rusi nga Ukraina, duke thënë se trupat e tij “nuk po luftojnë kundër fëmijëve”.

“Por ne do të shkatërrojmë këdo që na pengon”, tha ai me zemërim në një sërë regjistrimesh me video dhe audio të postuara në rrjetet sociale që nga e premtja. “Ne po ecim përpara dhe do të shkojmë deri në fund”, tha ai.

Shërbimet ruse të sigurisë iu përgjigjen deklaratave të Prigozhinit për një kryengritje të armatosur duke kërkuar arrestimin e tij. Sa seriozisht e mori Kremlini kërcënimin dëshmon fakti se autoritetet shpallën një “regjim kundër terrorizmit” në Moskë dhe rrethinë, duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe duke shtuar masat e sigurisë në kryeqytet.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si Prigozhini ishte në gjendje të hynte në qytetin jugor rus ose sa trupa kishte me vete.

Prigozhin pretendoi se kampet e Wagnerit në Ukrainë u goditën nga raketa, helikopterë dhe zjarr artilerie me urdhër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralit Valery Gerasimov, pas një takimi në Rostov me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu në të cilin ata vendosën të shkatërronin Wagnerin. Ai tha gjithashtu se forcat e tij rrëzuan një helikopter ushtarak rus që qëlloi mbi një kolonë civilësh, por nuk pati një konfirmim të pavarur për këto pretendime.

Yevgeny Prigozhin tha se kishte 25,000 trupa nën komandën e tij dhe do të ndëshkonte ministrin Shoigu në një kryengritje të armatosur dhe i kërkoi ushtrisë të mos bënte rezistencë: “Ky nuk është një grusht shteti ushtarak, por një marshim për drejtësi”, tha ai.

Ndërsa përfundimet e konfrontimit janë ende të paqarta, duket se ai do të pengojë më tej përpjekjet luftarake të Moskës pasi forcat e Kievit po sprovojnë mbrojtjen ruse në fazat fillestare të një kundërofensive. Mosmarrëveshja, veçanërisht nëse Prigozhini do të ngadhënjejë, gjithashtu mund të ketë pasoja për presidentin Putin dhe aftësinë e tij për të mbajtur një front të bashkuar.

Forcat e kompanisë Wagner kanë luajtur një rol vendimtar në luftën e Rusisë në Ukrainë, duke arritur të marrin qytetin ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme dhe më të gjata, Bakhmut. Por Prigozhini ka kritikuar gjithnjë e më shumë ushtrinë ruse, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe për mosfurnizimin e trupave të tij me armë dhe municione.

Të premten, Komiteti Kombëtar Kundër Terrorizmit, i cili është pjesë e Shërbimit Federal të Sigurisë, FSB, akuzoi Prigozhinin për thirrje për një kryengritje të armatosur, një vepër e dënueshme deri në 20 vjet heqje lirie.

FSB-ja u kërkoi ushtarëve me kontratë të Wagnerit të arrestonin Prigozhinin dhe të refuzonin të ndiqnin “urdhrat e tij kriminalë dhe të pabesë”. Organizata i cilësoi deklaratat e tij një “thikë pas shpine për trupat ruse” dhe tha se ato përbënin nxitje të konfliktit të armatosur.

Kamionë ushtarakë dhe automjete të blinduara u panë në disa pjesë të Moskës qendrore herët të shtunën, dhe ushtarët u vendosën jashtë ndërtesës kryesore të ministrisë së Mbrojtjes. Zona përreth administratës presidenciale pranë Sheshit të Kuq u bllokua.

Por me gjithë praninë e shtuar ushtarake, baret dhe restorantet në qendër të qytetit ishin plot me klientë. Në një klub afër selisë së FSB-së, njerëzit po vallëzonin kërcenin në rrugë afër hyrjes.

Prigozhini, grindjet e të cilit me ministrinë e Mbrojtjes datojnë vite më parë, kishte refuzuar të përmbushte një kërkesë që kontraktorët ushtarakë të nënshkruanin kontrata me ministrinë para 1 korrikut. Në një deklaratë të premten vonë, ai tha se ishte gati për një kompromis, por “ata kanë na mashtruan pabesisht”.

“Ata kryen një sulm me raketa në kampet tona dhe një numër i madh i shokëve tanë u vranë”, tha Prigozhin. Ministria e Mbrojtjes mohoi të ketë sulmuar kampet e Wagnerit.

“E keqja e mishëruar në udhëheqjen ushtarake të vendit duhet të ndalet”, tha ai.

Gjeneral Koloneli Sergei Surovikin, zëvendëskomandant i forcave që luftojnë në Ukrainë, u kërkoi trupave Wagner të ndalonin çdo veprim kundër ushtrisë, duke thënë se kjo u shkon për shtati armiqve të Rusisë, të cilët, “po presin të shohin përkeqësimin e situatës sonë të brendshme politike”.

Tatiana Stanovaya, një analiste politike, parashikoi se ky do të jetë fundi i Prigozhinit.

“Tani që shteti është angazhuar në mënyrë aktive, nuk ka kthim prapa”, shkroi ajo. “Fundi i Prigozhinit dhe Wagnerit është i afërt”.

Gjeneral-lejtënant Vladimir Alexeyev, një oficer i lartë ushtarak, denoncoi veprimin e Prigozhinit si “çmenduri” që kërcënon me luftë civile.

“Është një thikë pas shpine për vendin dhe presidentin. …Një provokim i tillë mund të organizohej vetëm nga armiqtë e Rusisë”, tha ai.

Ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë se Ukraina po përqendronte trupat për një sulm rreth Bakhmut, për të përfituar nga “provokimi i Prigozhinit”. Ai tha se artileria ruse dhe avionët luftarakë po qëllonin mbi forcat ukrainase ndërsa ata po përgatisin një sulm.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adam Hodge tha se “po e vëzhgojmë situatën dhe do të këshillohemi me aleatët dhe partnerët për këto zhvillime”. – VOA

Marrë nga Associated Press

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…