Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin
Mijëra besimtarë mbushën mëngjesin e sotëm sheshin “Skënderbej” për faljen e Kurban Bajramit
Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin.
Mijëra besimtarë mbushën mëngjesin e sotëm sheshin “Skënderbej” dhe gjithë sheshet e xhamitë e vendit për faljen e Kurban Bajramit.
Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu në mesazhin drejtuar besimtarëve myslimanë tha se “Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë.Kurban Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër”.
Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.
Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.
Për nder të kësaj feste theren kurbane, ndërsa besimtarët e kryejnë njërin nga pesë kushtet e fesë islame, shkuarjen në Haxh.
Pas riteve fetare dhe faljes së namazit të Bajramit, besimtarët u shpërndanë në shtëpitë e tyre, ku vijojnë me vizitat e të afërmve, therjen e kurbanit e shpërndarjen e saj.