Shoqata Gjermane e Turizmit: Ura të reja bashkëpunimi me Shqipërinë!
Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Industrisë (AmCham) takim me presidentin e DRV, Norbert Fiebig
Përfaqësues të Shoqatës Gjermane të Turizmit (DRV) po vizitojnë Shqipërinë për të diskutuar vendosjen e urave të reja të bashkëpunimit në këtë industri.
Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë (AmCham) organizoi një takim me presidentin e DRV, Norbert Fiebig dhe disa drejtues të disa operatorëve më në zë Gjermanë.
DRV (Shoqata Gjermane e Turizmit) ka një ndikim të rëndësishëm në tregun gjerman të udhëtimeve dhe turizmit.
Vizita e DRV-së në tregun shqiptar ka një rëndësi të madhe, pasi ata janë përfaqësuesit më të mëdhenj të industrisë së udhëtimeve në Gjermani, i përbërë nga një komunitet prej mijëra anëtarësh, duke përfshirë ofrues të ndryshëm të shërbimeve turistike.
“Fuqia e komunitetit të tyre i bën ata të rëndësishëm për ndikimin që kanë dhe interesi i tyre aktual për sektorin e turizmit në Shqipëri e bën akoma më të rëndësishme vizitën e tyre”, bën të ditur AmCham.
Takimi përbën një mundësi për ndërveprim midis aktorëve në fushën e turizmit dhe shërben si një platformë për të shkëmbyer informacione dhe vendosur lidhje pune që lehtësojnë lidhjen e kontratave të biznesit.
Komiteti i Turizmit dhe Mikpritjes në AmCham ka një fokus të shtuar në sektorin e turizmit, ndërsa po angazhohet për një ndikim pozitiv në proceset ligjore dhe rregullatore për operatorët e biznesit në këtë sektor.