Rama: Shqipëria pjesë e Programit të Europës Digjitale
Qytetarët, bizneset, institucionet publike do të kenë mundësi të aplikojnë në programin e ri financues të BE-së prej gati 7,5 miliardë euro
Nga sot Shqipëria do të jetë pjesë e Programit të Europës Digjitale.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Duke e cilësuar një lajm të mirë, Rama theksoi se “sot me firmosjen e marrëveshjes në Bruksel, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të jenë pjesë e Evropës Digjitale ku qytetarët, bizneset, institucionet publike do të kenë mundësi të aplikojnë në programin e ri financues të BE-së prej gati 7,5 miliardë euro”.
“Axhenda digjitale e cila është një nga shtyllat kryesore të qeverisë shqiptare tashmë do të mbështetet edhe nga programet e BE-së”, tha Rama.
Me firmosjen e kësaj marrëveshjeje qytetarët, bizneset, institucionet publike të vendeve të rajonit do të kenë mundësi të aplikojnë në programin e ri financues të BE-së.