Fluks vizitorësh, mbi 300 mijë turistë në janar-qershor
Turistët janë kryesisht nga Polonia, Gjermania, Spanja, Italia, Franca, etj.
Qyteti i një mbi një dritareve, një dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh për periudhën janar-qershor të këtij viti.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “në janar-qershor Berati u vizitua nga 300 mijë vizitorë vendas e të huaj”.
“Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve gati 50% më shumë se vitin e kaluar”, theksoi Merdani.
Sipas saj, turistët janë kryesisht nga Polonia, Gjermania, Spanja, Italia, Franca, etj.
“Lagjja Mangalem, kalaja dhe lagjja Goricë janë tre nga sitet më të vizituara nga turistë vendas dhe të huaj në qytetin e Beratit.Por përveç këtyre turistët tregojnë interes edhe për Kanionet e Osumit, muzeun “Onufri”, objektet e kultit, kishat dhe xhamitë”, theksoi Merdani.
Vitet e fundit qytetarët beratas i kanë kthyer shtëpitë e tyre në lagjen Mangalem dhe Goricë në bujtina dhe hotele për të mikpritur vizitorët e shumtë, të cilët tashmë qëndrojnë nga dy ditë ose edhe më shumë për t’u njohur më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë.
Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia, si festivale, teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, ekspozita, etj.
Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.
Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat, por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit. /ATSH