Clinton: Sot më dhatë një dhuratë të madhe. Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Presidenti i 42-të i SHBA-së, Bill Clinton deklaroi sot se, dikur Shqipëria ishte një derë e zymtë e mbyllur, ndërsa sot është një derë e hapur.
Presidenti i 42-të i SHBA-së, Bill Clinton deklaroi sot se, dikur Shqipëria ishte një derë e zymtë e mbyllur, ndërsa sot është një derë e hapur.
Në fjalën e tij në ceremoninë e nderimit me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” nga kryeministri Edi Rama, Clinton u shpreh se, “për mua kjo nuk është thjesht një ditë, kur kryeministri dhe populli i dhanë një njeriu, i cili nuk është më i ri dhe nuk ka më pushtet politik, një lëvdatë për atë çka shumë kohë më parë bëri në mënyrë të drejtë për ju. Kjo është dita kur rikonfirmohet koncepti se njerëzit që bëhen bashkë, përtej dasive të tyre, marrin vendime më të mira. Njerëzit, të cilët ngulen dhe rrinë vetëm me një grup. Grupet marrin vendime më të mira edhe se gjenitë e vetëm dhe kjo është diçka që mund të vërtetohet. Ajo çka kam shumë për zemër tashmë është që nipërit e mi të kenë një të ardhme më të shkëlqyer, që gjërat bëhen bashkë në vend që të përçahen dhe ju ma keni bërë të qartë se jeni dakord me këtë”.
“Unë i dëgjova ata fëmijë dhe më lanë pa fjalë. Mos harroni. Nuk është për herë e lehtë. Mos harroni. Do të bëni gabime. Mos harroni. Dikush do të thotë diçka për ju që është e rreme, e pavërtetë dhe që nuk duhet ta thonë. Duhet të gjeni mënyrën sesi t’i përgjigjeni asaj”, tha Clinton.
“Dua t’ju kërkoj që të vazhdoni kështu. Na duhen modele dhe ndonjëherë është e lehtë që vendet, të cilat kanë popullsi më të vogla dhe për rrjedhojë mund t’i shohin njerëzit, si njerëz e jo si personazhe vizatimorë dy dimensional, të udhëheqin rrugën për ne”.
Clinton tregoi historinë e një kamerieri shqiptar nga Kosova, i cili në një restorant në Nju-Jork e kishte takuar dhe i kishte thënë se “falë teje familja ime është sot gjallë”.
“Vazhdoni kështu, mos i hidhni njerëzit poshtë kur ju zhgënjejnë. Rezistojini tundimit që njerëzit t’i trajtoni siç ju trajtojnë. Ju keni ndërtuar këtu diçka vërtetë të lavdishme. Bëni që gjithkush që vjen në Shqipëri, të shkojë në vendin e tyre me dëshirën që vendi i tyre të jetë më shumë si i juaji. Dikur ju ishit një derë e zymtë e mbyllur ndërkohë që tashmë jeni një derë e hapur”, u shpreh Clinton.
Ai falënderoi qeverinë shqiptare që mikpriti afganët e larguar nga vendi i tyre.
“Faleminderit që morët drejtueset dhe gratë e OJQ-ve dhe i larguat nga shqetësimet e tmerrshme në Afganistan! Nuk e keni idenë sa e rëndësishme ishte kjo. Faleminderit për gjithçka keni bërë për të vërtetuar se ajo çfarë kemi të përbashkët është shumë më e rëndësishme sesa ndasitë tona dhe se dua të ndërtojmë një botë ku duhet të bëhemi bashkë! E gjithë pjesa tjetër është muzikë në sfond”, tha Clinton.
“Kur vjen në moshën time, pyet veten se pse shpenzojnë njerëzit kaq energji që të shkatërrojnë të tjerët, për aq pak gjë. Ndodh shumë shpejt, jeta ikën, mbaron. Dhe gjithçka vlen nëse i ke lënë gjërat më mirë sesa i ke gjetur, nëse fëmijët kanë një të ardhme më të ndritur, nëse jeni bashkuar në vend që të ndaheni. Në këto kohëra kur jemi përballur me sfidën ekzistenciale që paraqet, klima, ndryshimi klimës për mënyrën tonë të jetesës. Kur u thua po këtyre gjërave gjithë gjërat e tjera nuk kanë vlerë”, u shpreh ai.
“Sot më dhatë një dhuratë të madhe. Më të madhe madje edhe sesa nderi. Më latë të shohë çfarë bëhet për të ardhmen, në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë. Vazhdoni kështu. Zoti ju bekoftë!”, përfundoi fjalën e tij presidenti i 42-të i SHBA-së, Bill Clinton.