Heronjtë e heshtur të Festivalit Folklorik Kombëtar
Faleminderit me zemër dhe le t’ia nisim punës për edicionin e radhës
Nga Elva Margariti, Ministre e Kulturës
Pas çdo aktiviteti të madh, pas çdo suksesi, pas së cilit fshihet mund e lodhje, ajo çka mbetet më pas është emocioni.
Ajo që më mbush pas Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2023, pas atyre 8 ditë-netëve festive, pas qindra mesazhesh urimi, është patjetër mirënjohja.
Mirënjohja për “heronjtë e heshtur” të kësaj ngjarjeje madhështore; të asaj skuadre që brenda një kohe të shkurtër e ktheu Gjirokastrën në një skenë magjike ku gjalloi gjithë pasuria jonë shpirtërore; që nga Komiteti Artistik me në krye profesor Thoma Gaqin, që udhëtuan në gjithë Shqipërinë për të përzgjedhur materialet që u interpretuan në skenë; Bledi Laço me gjithë ekipin e tij që organizuan një festë të madhe, Eri Kuken, Ina Lisin , Kube Studios, Ines Esnal-in, që ndërtuan një vepër arti në kurorën e festivalit, një skenografi simbolike që do të mbahet mend gjatë; Edit Pula që mbajti gjallë qytetin me aktivitete në rrugicat e gurta; Dorian Çenen e çdo ekspert që ndihmoi që trashëgimia jonë të buronte sa më e pastër; Manjola Hasa për promovimin dhe punën e palodhur me mediet shqiptare e të huaja, Merin, Gencin, Arlindën dhe pa përjashtim gjithë stafin e Ministrisë së Kulturës, që u kujdesën që gjithçka të shkonte si duhej; Qendra Kombëtare e Veprimitarive Tradicionale, Arkivi Qendror Shteteror i Filmit, Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe për çdo artizan që iu bashkua shfaqjeve në kala dhe në aktivitetet përgjatë ditëve.
Mirënjohje Këshillave dhe prefektëve të Qarqeve, që na mbështetën me entuziazëm; Mirënjohje çdo kryetari bashkie që na mbështeti në këtë organizim madhështor, që u rikthye pas 8 vitesh mungese, në veçanti Flamur Golemi që na “dorëzoi” bujarisht “çelësat e qytetit”, të cilat ia kthyem sërish për të vijuar punët e mira në këtë qytet-UNESCO. Por edhe Ardisit, drejtorit të DRTK Gjirokaster, për përkushtimin dhe gatishmërinë në zgjidhjen e çdo ngërçi.
Mirënjohje për Gjirokastrën dhe gjirokastritët, pa të cilët kjo festë nuk do të qe e mundur; për dashamirësinë dhe mikpritjen e pafund; për përqafimet, shtrëngimet e duarve dhe mesazhet falënderuese. E pamundur t’u përgjigjem të gjithëve emër për emër, por me zemër iu them: Faleminderit!
Tashmë Gjirokastra iu kthye ritmit të vet; kalaja dhe sahati veshën petkun hijerëndë, por me siguri ky festival është gdhendur në gurët e tyre.
Mirënjohje për çdo bartës të vlerave kulturore dhe shpirtërore në trojet shqiptare e në diasporën e largët, që i japin kuptim këtij festivali!
Faleminderit atyre qindra të rinjve e fëmijëve që sollën në skenë jo vetëm traditë, por edhe shpresën dhe besimin që rrënjët e të parëve janë trashëguar te brezat e rinj!
Faleminderit RTSH Radio Televizioni Shqiptar e çdo medieje televizive, çdo gazetari dhe operatori që gëzoi e përcolli bashkë me ne këtë kartolinë të vlerave e të historive të vërteta shqiptare në Shqipëri e në botë, duke treguar se ne jemi një popull që dimë të ruajmë të bukurën dhe dimë të festojmë jetën!
Faleminderit American Bank of Investments, Fondi Shqiptar i Zhvillimit/ Albanian Development Fund, Banka Botërore World Bank Albania, që mbështesni artin!
Mirënjohje për këdo që udhëtoi drejt Gjirokastrës me zemrën e hapur për të përqafuar bukurinë e traditës sonë!
Faleminderit me zemër dhe le t’ia nisim punës për edicionin e radhës, me moton tonë të bukur: “E ardhmja është në origjinë”!