Veliaj: Vizita e Bill Clinton e ka kthyer Tiranën në një epiqendër politike në Ballkan
Kryebashkiaku i kryeqytetit: Bill Clinton, amerikani më i dashur në vendin që do më shumë Amerikën në botë.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot në një intervistë televizive se Tirana është kthyer në një epiqendër politike e rajonit të Ballkanit.
Teksa komentoi vizitën e ish-Presidentit të SHBA, Bill Clinton në Shqipëri, Veliaj tha se mikpritja ndaj figurës së tij ishte një mirënjohje nga zemra e të gjithë qytetarëve të Tiranës.
“Ka qenë një aftësi e jashtëzakonshme e kryeministrit Edi Rama për ta kthyer Tiranën në një qendër të shumë aktiviteteve politike. Ne të qytetit bëjmë më shumë pjesën kulturore, sportive, të koncerteve, eventeve, kurse Kryeministri, duke filluar nga Samiti i Procesit të Berlinit, apo te vizita jashtëzakonisht të rëndësishme, e ka kthyer Tiranën në një epiqendër politike të të gjithë Ballkanit. Jemi sot padyshim vendi më i qëndrueshëm, nuk kemi asnjë konflikt me fqinjët, po përjetojmë një bum turistik dhe sigurisht që, këto vizita rrisin reputacionin e vendit tonë”, theksoi Veliaj.
Velia u shpreh se “në rastin më konkret, në të gjitha këto aktivitete të organizuara nga Kryeministri, besoj se qershia mbi tortë ishte vizita e Bill Clinton, ndoshta amerikani më i dashur në vendin që do më shumë Amerikën në botë. Ishte një vizitë jashtëzakonisht inkurajuese, që e kreu misionin e vet për të treguar një mirënjohje shqiptare, dhe Kryeministri ishte siguruar që të ftonte nga i gjithë spektri politik, nga të gjitha besimet fetare, ishte e hapur edhe për publikun, që vërtet mirënjohja të ishte një mirënjohje përtej protokollit, që vinte nga zemra, nga të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vizitorët që ishin këtu”.
I pyetur pse opozita e drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk ishin në pritjen e organizuar për Presidentin Clinton, Veliaj tha se “nuk jam postier, nuk shpërndaj ftesa. Ajo që unë thosha në fushatë është se ata janë pa adresë, pa emër, pa fytyrë. Pyetja është: Cila është shtëpia e tyre politike që ne adresojmë? Ajo që dëgjova herën e fundit, është se edhe shoku Ilir Meta do që të ndajë grupin e vet të këshilltarëve bashkiakë veç nga ai i Sali Berishës. Qartazi edhe ai ka një alergji të theksuar nga prania e Berishës në listën e tij. Kështu që, pyetja më e bukur është për Postën e Tiranës: Ku është adresa e saktë e tyre? Dhe ne do shikojmë si mund t’i akomodojmë në koncertet e ardhshme që kemi”.