Stoltenberg edhe një vit më shumë në krye të NATO-s
Stoltenberg e ka udhëhequr NATO-n që nga viti 2014. Mandati i tij është zgjatur katër herë
NATO njoftoi të martën se Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg do të qëndrojë në këtë detyrë edhe për një vit, ndërsa mandati i tij pritej të përfundonte në fund të shtatorit.
Vendimi për zgjatjen e mandatit, pritet të miratohet zyrtarisht javën që vjen gjatë takimit të udhëheqësve të NATO-s në Vilnius të Lituanisë.
Vendimi vjen ndërsa NATO po luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen që i ofron Ukrainës për t’u përballuar me agresionin rus. Vendet anëtare të aleancës po furnizojnë Kievin me ndihma ushtarake dhe humanitare, si dhe po stërvitin trupat ukrainase.
Në një postim në Twitter, zoti Stoltenberg shkruante se është i nderuar nga vendimi për zgjatjen e mandatit të tij.
“Lidhja transatlantike mes Evropës dhe Amerikës së Veriut ka garantuar lirinë dhe sigurinë tonë për gati 75 vjet, dhe në një botë më të rrezikshme, aleanca jonë është më e rëndësishme se kurrë“, shkruante ai.
Zoti Stoltenberg, i cili ka shërbyer më parë në detyrën e kryeministrit të Norvegjisë, ka udhëhequr NATO-n që nga viti 2014. Mandati i tij është zgjatur katër herë përfshirë vendimin më të fundit. /VOA