Osmani: Policia, institucion kyç për integritetin dhe sovranitetin e vendit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur tre policët e Kosovës, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të mërkurën tre policët e Kosovës, Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, të rrëmbyer nga Serbia dhe të liruar ditë më parë.
Osmani në takim me policët, ka falënderuar gjithë Policinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm për një mjedis të sigurt dhe të qetë.
“Policia e Kosovës është institucioni kyç për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës e njohim përkushtimin dhe sakrificën tuaj, por edhe të të gjitha grave dhe burrave në uniformë policore, të cilët e mbrojnë Republikën në çdo cep”, citohet në komunikatë Osmani.
Ndërsa, të tre policët kanë falënderuar presidenten Osmani për pritjen dhe shprehën përkushtimin për vazhdimin e angazhimit të tyre në funksion të sigurimit të një mjedisi paqësor dhe tërësisë territoriale të Kosovës.
Tre policët kufitar të Kosovës ishin rrëmbyer më 14 qershor nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, ndërsa janë liruar më 26 qershor nga autoritetet e Serbisë./KosovaPress