Stoltenberg: Turqia pranon të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO
Turqia ka rënë dakord për të paraqitur kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO për ratifikim në parlamentin turk
Turqia ka rënë dakord për të paraqitur kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO për ratifikim në parlamentin turk sa më shpejt të jetë e mundur, njoftoi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Vilnius.
Stoltenberg u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrin suedez Ulf Kristersson në prag të samitit të NATO-s për të kapërcyer ngërçin disamujor.
Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga tre krerët nuk përcakton se sa kohë i duhet parlamentit turk për të ratifikuar kërkesën e Suedisë.
Njoftimi i papritur vjen pasi Erdogan e lidhi më herët anëtarësimin e Suedisë në NATO me rifillimin e bisedimeve të bllokuara të anëtarësimit të Turqisë me Bashkimin Evropian.
Në vazhdën e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj 2022.
Finlanda ka qenë anëtare e aleancës që nga prilli 2023, ndërsa Suedisë i mungon ende miratimi i Turqisë dhe Hungarisë.