Situata në veri të Kosovës, Rama: Duhet qëndrim më i fortë i NATO-s nëpërmjet KFOR-it
Kryeministri Rama zhvilloi një bashkëbisedim me eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot lidhur me situatën në veri të Kosovës, ndërsa theksoi se “është koha që të kombinohet dialogu i lehtësuar nga BE, rruga diplomatike, me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR-it”.
Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, në kuadër të Forumit Publik të Samitit të NATO-s, që po zhvillon punimet në Vilnius, Lituani.
I pyetur mbi situatën në veriun e Kosovës, Rama tha se ndjehet i lehtësuar nga fjala e presidentit Biden sot në Këshill.
“Problemi i Ballkanit Perëndimor sot në lidhje me sigurinë ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme dhe çka po ndodh është diçka me të vërtetë shumë e rrezikshme me pjesën e veriut të Kosovës, që mund të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit”, shtoi Rama.
Sipas tij, “teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe me Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, që janë pikërisht grupet ekstreme në veriun e Kosovës”.
“Aty është krijuar në vite si një vend parajse për aktivitete kriminale të trafikimit të drogës, armëve, prodhimit të kriptomonedhave dhe kjo përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale dhe me një përzierje të interesave të mafies përballë shqetësimeve kombëtare dhe të drejtave të njeriut, mund të jetë me të vërtetë një situatë shpërthyese”, tha Rama.
Duke folur për Shqipërinë në NATO, Rama tha se “Shqipëria është krenare dhe si një vend i vogël anëtar i NATO-s, ne ndjehemi shumë mirë për shumë arsye”.
“Por edhe për një arsye tjetër. Se nuk më takon mua të marr vendime të vështira dhe të mëdha”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ka një qëllim të plotë për të vazhduar dhe mbështetur Ukrainën pa asnjë mëdyshje dhe të gjithë duket se janë të përkushtuar për të investuar më shumë në sektorin e mbrojtjes që është një lidhje direkte e asaj që po ndodh në Ukrainë”.
“Për ne vjen natyrshëm, sepse ne e kemi mësuar vlerën e lirisë dhe demokracisë gjatë gjithë jetës së shtetit tonë. Ne kemi qenë të deprimuar pikërisht nga të drejtat, me metodat më brutale të para ndonjëherë brenda perandorisë komuniste. Shqipëria është një vend ku popullariteti i Vladimir Putinit shkon nga 0.7-1.2 %. Pra ne nuk kemi asgjë tjetër tjetër përveç një mirëkuptimi të plotë dhe mbështetje të plotë nga i gjithë opinioni publik në Shqipëri. Pyetja e madhe që shtrohet është gjithmonë se si demokracitë mund t’i bëjnë ballë një diktatori ose një regjimi diktatorial në një konflikt, sepse demokracitë duhet të luftojnë dhe në të njëjtën kohë duhet të dëgjojnë njerëzit, ndërsa Vladimir Putini nuk ka kë të dëgjojë”, tha ai. /ATSH