Eh mër Gim Rada, mos vdeksh kurrë!

IN MEMORIAM- Ndarja nga jeta e Agim Radës, skulptorit të rrallë, shokut tim i madh i rinisë më të hershme


Nga Edi Rama

IN MEMORIAM

Nuk mund të niste më hidhur një ditë e imja, se sa me lajmin e ndarjes nga jeta të Agim Radës, skulptori i rrallë, shoku im i madh i rinisë më të hershme, për të cilin i lidha këto fjalë mes pauzash të gjata e lëmshesh në grykë, po që t’i evitoja fare nuk mundesha dot, sepse me patjetër dikush nga të paktët që e njohën së afërmi, duhet t’i linte të shkruara. Për të, Gimin e pashoq të kohës së vjetër, në mos për askënd tjetër. E di që rreshtat më poshtë janë ca si të gjatë, po ai, në mos askush prej jush, ka të gjithë kohën t’i lexojë dhe të qeshë e të qajë me to, si të dojë dhe si vetëm ai di ta bëjë.

Anti-hero i realizmit socialist dhe hero i disidencës së bordurave, rebel i Tironës së gjimnastikës së mëngjesit dhe xhirove të darkës, dashnor i paepur i rrugicave të Liqenit Artificial dhe tallës po aq i palodhur i spiunëve të zellshëm me kostum teritali rrotull “Gjirit të kurvave”, Gimi ishte studenti më i përjashtuar nga zboret e aksionet dhe shembëlltyra më komike e dështimit të syrgjynosjeve riedukuese në gjirin e klasës punëtore. Makthi i organizatave të Partisë në shkollë e në jetë dhe i udhëheqësve të rinisë në vijën e parë të luftës kundër shfaqjeve të huaja, Gimi u hidhte dishepujve të vet të asaj kohe të bekuar ëndrrash të palejuara, thërrime nga thesi i eksperiencës së tij në mbjelljen e farës së sevdasë arave të virgjëra të botës së lakmuar femërore, duke predikuar dashurinë e lirë dhe shijen e të ndaluarës, tek shkulte në të qeshura tavolina të tëra, ku mes gajasjeve me dogmat morale dhe turlillojin e personazheve publikë e jopublikë të rrugës së ndërtimit të komunizmit, mbusheshin e zbrazeshin me turlilloj rakish gotat që trokisnin në vendin e duarve, kur mbërrinin klimakset e artikulimit të tij plot befasira retorike, të cilat përmbanin një përzierje të hatashme frazash e fjalirash të mbledhura librave e rrugëve, nga Shekspiri tek Shaban Qosja, Tit Sojli, Mehmet Elezi, Esenini, Majakovski, Pushkini, nga Rubairat e Omar Khajamit tek vjershat e Shefqet Peçit, Lufta dhe Paqja e Tolstoit, Vitet e Vegjëlisë së Enverit, Don Kishoti i Nolit dhe ai i Petro Zhejit, e deri tek batutat e alter egos së tij, gojëbriskut Llaq Xhavo, bashkë me ato të filmave të Kinostudios Shqipëria e Re a të dramave të Teatrit Kombëtar, ku këmbët e lehtësuara nga zbrazja e sasive marramendëse të lëndëve helmuese luftarake, e çonin shpesh të zhytej mes kolltukëve të kuq, prodhim i kombinatit heroik të drurit “Mihal Duri” ose “Mihal Druri”, siç e kishte pagëzuar Agimi.

“Lejomëni të tërhiqem për pak, që të shkoj të thyhem në mes, për t’i kthyer nënës natyrë ato që
i mora pjesë-pjesë!”, kumtonte me sytë blu të përflakur nga kënaqësia, kur shkonte në banjo apo kur fatorinoja i kërkonte biletën e urbanit, një ofshamë e tij epike e pasonte me një, “Oh, betomu sy që gjer tani s’ke parë të tillë mrekulli!”, ndërsa kur ndeshte në rrugë ndonjë nga ata të preferuarit e tij, pensionistët e Frontit Demokratik me kapele republike dhe këpucë gri me vrima, vinte adresimi në vendnumëro me një zë prej fajtori, “Shoko më falni, a dini gjë ku mund të bëj një autokritikë se nuk po e mbaj dot?!”…

Gimi ishte një forcë e madhe e natyrës, kudo ku hynte dukej sikur e hapte perden e ajrit me shpatën e gojës së tij, kudo ku ulej dukej sikur zinte krejt anën e vet të tavolinës me gjerësinë e të qeshurës së tij, kudo ku ecte spostonte gjithnjë me veten tre a katër të tjerë, si bartës i një mesazhi mistik, që në fakt kishte vetëm magnetin e parezistueshëm të një shpirti të lirë dhe karizmën e pashembullt të një udhëheqësi shpirtrash, që kërkonin tek liria vetveten e tyre ende të pagjetur apo pavetëdijësisht të humbur.

Talent natyral i baltës, ai që përmes baltës të vdekurit e mëdhenj të kombit i sillte në jetë dhe vdekjen e trajtonte si dashnoren e fundit, në radhën e pambarimtë të Dylqinjave të tij që fund nuk do të kishte kurrë, “paçka se fundja nga balta vijmë e drejt baltës shkojmë, po rëndësi ka çfarë lemë pas nga balta jonë”, u tërhoq gjithnjë e më shumë në atelienë e skulpturave, jo për t’u thyer në mes, po për të kaluar orë të pafundme në këmbë, në një vrap të shfrenuar prej ankthit të kohës që ikte, teksa numri i të vdekurve që ëndërronte të sillte në jetë rritej.

Dekadat që pasuan epokën e lavdishme të ilaritetit permanent ishin ndryshe dhe bohemi i harbuar i asaj epoke, u kthye vit pas viti në hijen e vetvetes, mes telasheve e dëshirës për të krijuar, melankolisë dhe nevojës për t’i mbijetuar transformimit të jashtëm e të brendshëm, duke lënë sa më shumë vepra. Rrëmuja dhe rrëmeti i qytetit që dikur ishte i tëri i veti, e ku në çdo lagje, nga Ali Demi në Kinostudio, kishte një Ofeli të dëshpëruar në pritjen e përlotur të të vetmit dhe të papërsëritshmit Gim Rada, hynin e dilnin gjithnjë e më pak në izolimin e tij përmes frëngjisë së celularit, prej nga edhe më shkruajti se vdekja i ishte paraqitur në derë për ta marrë.
E kishte kuptuar se dashnorja e fundit nuk kishte ndërmend ta linte pa e marrë, e se argumenti i tij legjendar, “Gimi i shkretë nuk le asnjë femër, po janë femrat ato që e lënë”, kishte rënë dhe ndarja nga kjo botë ishte vetëm çështje kohe.

Tanimë shoku im i madh i rinisë më të hershme, Gim Rada dora vetë, është shtrirë përjetë në krevatin e të parës që nuk pranoi ta linte dhe ne nuk e ndihmuam dot të shpëtonte prej saj. “Femra është si jeta që nuk dorëzohet kollaj!”, na tregonte ai qysh asokohe, kur mustaqet tona ende nuk e kishin provuar djersën e parë, “Imagjinojini të dyja si një gropë të madhe dhe të padukshme, që nuk rrafshohet njësh me tokën pa u mbushur plot, prandaj kini durim dhe ishalla jeni me fat deri tek lopata e fundit!”.

Eh mër Gim Rada, mos vdeksh kurrë!

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…