Belgjika mbështetje Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE
Me ftesë të kryetares së Delegacionit të Përhershëm në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Mimi Kodheli, është duke vizituar Kuvendin e Shqipërisë një delegacion nga parlamenti dhe senati i Belgjikës, i kryesuar nga Theo Francken.
Gjatë vizitës së tyre dyditore në Tiranë, parlamentarët belgë u pritën në takim nga zëvendëskryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj, e cila shprehu falënderimet për mbështetjen e Belgjikës në rrugën e integrimit të Shqipërisë dhe nënvizoi së vendi ynë ka qenë në të njëjtën linjë me qëndrimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme. Ajo falënderoi gjithashtu për pozicionin e qartë të Belgjikës në lidhje me Kosovën.
Delegacioni mik u takua edhe me një përfaqësi të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike udhëhequr nga Klotilda Bushka, me të cilën u diskutua rëndësia e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare.
Në takimin me Delegacionin e Përhershëm Parlamentar në AP NATO, Kodheli e cilësoi si të shkëlqyer bashkëpunimin brenda Asamblesë midis dy vendeve dhe falënderoi për mbështetjen e disa nismave të Shqipërisë nga ana e delegacionit të Belgjikës.
Ajo tha se, koha që jetojmë ka treguar se vetëm falë bashkëpunimit dhe unitetit mund të merren vendimet e duhura.
Francken falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe tha se kjo vizitë është shumë e rëndësishme, pasi i njeh më nga afër me situatën në vend.
Ai vlerësoi rolin e Shqipërisë brenda Aleancës duke e cilësuar atë si një partnere të besueshme.
Bashkëbiseduesit folën gjithashtu për situatën e sigurisë dhe politike në rajon, veriun e Kosovës si dhe samitin historik të Vilniusit.