Një karafil në Memorialin e 252 Dëshmorëve të Demokracisë së Turqisë!
REPORTAZH nga Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë
Nga Dash Frashëri
Botues i TiranaDiplomat.com
15 korriku 2016 shënon një nga momentet më kulmore të historisë së Turqisë moderne. Ka hyrë në kalendarin e Türkiye, si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.
Me gjakun e 252 dëshmorëve, me sakrificën e mijëra të tjerëve, me guximin dhe vendosmërinë e një populli të tërë, u ruajt ardhmëria e Turqisë, iu dha përgjigje popullore kundër tentativës për grusht shteti të ndërmarrë nga FETO, e cilësuar nga institucionet turke si një organizatë terroriste.
Te kopshti ku ndodhet Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë ishte organizuar edhe një ekspozitë fotografike, që përkujtonte momente nga 15 korriku i vitit 2016.
Ftesës së Ambasadës turke në Tiranë, për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për përvjetorin e shtatë, të organizuar tek Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë, iu përgjigja pozitivisht me kënaqësi, edhe si botues i gazetës online “Tirana Diplomat”.
Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë, ndodhet pranë Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), e cila ka dhënë një kontribut të madh në Tiranë dhe në rrethe si në rindërtimin e çerdheve, kopshteve, shkollave dhe rikonstruksione të ndryshme.
Një ceremoni kuptimplote dhe ndjerë, e organizuar në perfeksion dhe me respektin e duhur ndaj “Dëshmorëve të 15 korrikut”.
Të pranishëm ishin Ambasadori i Türkiye-s në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit “Yunus-Emre” për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, koordinatorja e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, zyrtarë të tjerë të institucioneve turke, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, qytetarë turq dhe qytetarë shqiptarë.
Ceremonia nisi me mbajtjen e një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve.
Për të vazhduar më pas me ekzekutimin e dy himneve kombëtare, atë të Turqisë dhe Shqipërisë, të përcjella me respektin e duhur nga të pranishmit.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori Atay tha se tentativa për grusht shteti dështoi dhe u shpartallua falë qëndresës së popullit turk, policisë dhe ushtrisë, por ajo u kushtoi jetën 252 dëshmorëve dhe gjakun e mijëra veteranëve dhe qëndrestarëve.
Ai shtoi se, sot përkujtojnë të gjithë dëshmorët me lutje dhe mirënjohje të thellë, që sakrifikuan jetën e tyre duke i rezistuar kësaj tentative për grusht shteti.
“Në shtatë vitet që kanë kaluar nga tentativa e dështuar për grusht shteti, si rezultat i gjyqeve të zhvilluara në vendin tonë, është vërtetuar se pas kësaj tentative të dështuar për grusht shteti qëndron kreu i grupit, Fetullah Gülen, rezident në SHBA, së bashku me pasuesit e tij që vepruan me urdhrat e tij”, tha ambasadori turk.
Ambasadori Atay theksoi se me gjitha përpjekjet e shtetit turk, organizatës FETO iu është thyer shtylla kurrizore në Türkiye dhe shtoi se lufta kundër këtij rrjeti vazhdon edhe jashtë vendit.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, i cili tha se FETO demaskoi përgjithmonë veten. Ai theksoi se me gjakun e qindra dëshmorëve, me sakrificën e mijëra të tjerëve, me guximin dhe vendosmërinë e një populli të tërë, u ruajt ardhmëria e Turqisë.
“Pika e kthesës atë natë të zezë ishte thirrja nëpërmjet televizionit e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për popullin turk, për të dalë në rrugë e sheshe dhe për t’iu kundërvënë puçistëve. Dështimi i atij puçi qe një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët të cilët tek Türkiye shohin vendin vëlla dhe partnerin strategjik. Ata vuajtën siç vuajtën turqit, u gëzuan siç u gëzuan turqit kur makthi mbaroi dhe dielli lindi përsëri. Një Türkiye e qëndrueshme dhe e begatë është siguri për shqiptarët në Ballkan”, u shpreh Gurra.
Nga këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Türkiye-s në Tiranë, dr. Adem Gerlegiz, u bënë lutje për dëshmorët, ndërkohë u lexua edhe Kur’an-i Kerim.
Sic e kërkon edhe tradita shtatëvjecare, ceremonia përfundoi me vendosjen e karafilave të kuq pranë memorialit, duke nisur nga ambasadori Atay, dhe për ta mbyllur me qytetarët e pranishëm,
Edhe unë bëj një fotokujtim nga kjo ceremoni e bukur në nderim të Dëshmorëve të 15 korrikut, Dëshmorëve të Demokracisë së Turqisë, të konsideruar si “Vëllai i Madh” i Shqiptarëve, duke mbajtur në duar të dy flamujt: të Shqipërisë dhe Turqisë. Lavdi të Përjetshme Dëshmorëve!
Tiranë, më 15 korrik 2023