Hohmann: Shqipëria, në harmoni me politikën e BE-së
Ambasadojja e BE vlerësoi Shqipërinë për rolin e saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann u shpreh sot se, Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin me legjislacionin europian sa më shpejt, për t’u anëtarësuar në BE.
Në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Hohmann u shpreh se, kjo do të jetë hera e fundit për të që merr pjesë në mbledhjet e këtij Këshilli si shefe e Delegacionit të BE.
“Para një viti ne hodhëm hapin e parë dhe e futëm Shqipërinë në rrugën e BE-së, sepse pikërisht atëherë filloi edhe puna”, tha Hohmann, e cila shtoi se, “në përgjithësi Shqipëria është në një pozicionim të mirë. Megjithatë, shumë punë ende mbetet për t’u bërë, pra nuk ka kohë për pushim”.
Gjithashtu, vijoi Hohmann, “mund të keni dëgjuar që jo vetëm screening është në proces, por nesër shtetet anëtare të BE-së do të marrin raportin për grupkapitujt themelorë. Komisioni do t’ia prezantojë shteteve anëtare. Kjo fillon fazën tjetër ku shqyrtohet hapja e negociatave, me shpresën që kjo të ndodhë me një vendim në dhjetor. Pra dhe sinjalet politike nga Shqipëria kanë peshë të madhe. Shtetet anëtare formojnë opinionet e tyre se si të votojnë në dhjetor në Këshillin Evropian nga ai raport, por ama edhe nga sinjalet politike që vijnë nga Shqipëria. Pra ju e keni në dorë. Ju jeni aktorët në këtë vend”.
“Duhet të bëjmë zgjidhjet më të mira për të arritur objektivat që duam. Dhe për ju është që ju të harmonizoni legjislacionin me legjislacionin europian sa më shpejt, për t’u anëtarësuar”, theksoi ajo.
Pra, nënvizoi Hohmann, “është një pikë ku themi mos ndaloni, avanconi. Vendosni më shumë energji në këtë proces. Sepse kur shohim panoramën se çfarë duhet bërë, çfarë duhet mbuluar, është punë masive dhe jemi të vetëdijshëm për këtë punë. Ama ka edhe asistencë të disponueshme, ndihmë të disponueshme. Edhe parlamente të tjera janë gati të asistojnë, ne po ju asistojmë, por ama në fund është një proces që duhet të bëhet në parlamentin shqiptar dhe veçanërisht nga ju, si anëtarë të Kuvendit”.
“Unë e kuptoj që nuk është e lehtë kur merrni një draftlegjislacion që ta shqyrtoni dhe të gjitha dispozitat për të parë nëse reflekton të gjitha dispozitat që doni të reflektoni. Por oferta e KE qëndron, që legjislacioni që doni të miratoni në drejtimin e aderimit në BE duhet të shqyrtohet nga ekspertët e KE, që t’ju orientojnë nëse po shkon ën drejtimin e duhur dhe nëse legjislacioni po përmbush normat e acquis, për të hequr një nga detyrimet. Kjo është e pritshme që çdo akt legjislativ të shkojë drejt acquis apo të harmonizohet me acquis”, theksoi ajo.
Hohmann preku edhe çështjen e zhvillimit ekonomik.
“Është e qartë dhe nuk ka nevojë të kesh master në ekonomi për të kuptuar se niveli i fuqisë ekonomike të Shqipërisë nuk është në mesataren e BE-së. Nuk duhet të jesh gjeni për ta kuptuar këtë. Është po aq e qartë që brenda BE-së edhe shtetet anëtare për t’ju afruar njëri-tjetrit kemi fonde strukturore. Për t’u përdorur nga shtetet anëtare. Për këtë arsye kryetarja e KE, në Bratislavë në fund të majit bëri një propozim për një paketë rritjeje, për të asistuar, ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë zhvillimet ekonomike, sepse po t’ia lëmë rastësisë, do të duhej një kohë shumë e gjatë. Prandaj kjo është një pikë ku të japim një shtytje më të fortë, shtesë. Por kjo nuk vjen vetvetiu. Siç thashë nuk ka drekë falas, edhe këtu nuk ka fonde falas. Edhe kjo mbështetje lidhet me kushte. Sepse nëse ti do të marrësh fonde të BE-së, duhet të plotësosh disa kushte, sepse është edhe paraaderim, por edhe për të përmbushur standardet e aderimit për të marrë fonde të tilla. Pra ky është një propozim që po diskutohet me shtetet anëtare sepse është pjesë e rishikimit afat mesëm të BE-së, ku flitet për buxhetet dhe alokimin e fondeve”, u shpreh Hohmann.
“Ky është një objektiv i deklaruar i KE, që ta japë dhe të sigurohet që paralelisht me reformat ligjore me gjithë hapat që ndërmerren të krijohen edhe kushtet, jo për investimet apo për të krijuar vende pune, por për të krijuar arsye për njerëzit që të thonë po unë dua të rri këtu, dua ta nxjerr jetesën time këtu. Këtë duhet të përshpejtojmë. Për të garantuar që ne i kemi njerëzit që duhet të përfitojnë nga anëtarësimi. Pra këta njerëz t’i kemi në Shqipëri, jo jashtë Shqipërisë”, tha Hohmann.
Hohmann vlerësoi Shqipërinë për rolin e saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Kur i hedh një sy rajonit, duhet theksuar që Shqipëria për shtetet anëtare, si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është si shtet anëtar i 28-të. Ne e çmojmë shumë atë që bën Shqipëria edhe pse nuk është anëtare e përhershme në konsultimin dhe informimin e shteteve anëtare dhe që veproni sikur jeni brenda tashmë. E vlerësojmë shumë, e çmojmë shumë dhe kjo është vënë re shumë mirë nga të gjithë shtetet anëtare. Ashtu siç është 100 % harmonizimi me pozicionet dhe politikën e BE-së. Është një nga vendet në rajon që aplikoi sanksionet ndaj Rusisë pas sulmit në Ukrainë. Kjo nuk merret si diçka e mirëqenë, por Shqipëria e bëri pa parë për kostot dhe për këtë i detyrohemi Shqipërisë një faleminderit shumë të madhe, sepse ishte e drejtpërdrejtë”. /ATSH