Performanca e ekonomisë kineze dhe narrativa selektive e shifrave

Ecuria ekonomike e vendit për këtë periudhë ka rezultuar në rritje me 5.5%, duke arritur në 59 trilion juanë ose rreth 8.3 trilion dollarë.


Dr. Marsela Musabelliu

Në mes korriku 2023, Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS) të Kinës shpalosi performancën e gjysmës së parë të vitit. Ecuria ekonomike e vendit për këtë periudhë ka rezultuar në rritje me 5.5%, duke arritur në 59 trilion juanë ose rreth 8.3 trilion dollarë.

Në specifika, industria primare ose bujqësia pa një prodhim prej 3 trilion juanë duke u rritur me 3.7% në vit. Industria dytësore, ose sektorët e mëdhenj industrialë rezultuan në 23 trilion juanë, duke u rritur me 4.3% dhe industria terciare ose shërbimet panë që prodhimi të vinte në 33 trilion juanë duke u rritur me rreth 6.4% për 6 muajt e parë të 2023. Këto shifra, përballë një rimëkëmbjeje të dobët ekonomike globale, tregojnë edhe një herë elasticitetin dhe përshtatshmërinë e ekonomisë kineze përballë sfidave. Në rang botëror kemi presione të vazhdueshme inflacioniste. Ekonomitë e zhvilluara kanë zbatuar masa shtrënguese monetare për të përballuar inflacionin, i cili ka sjellë efekte të dukshme në xhepat e qytetarëve. Megjithatë, edhe përballë këtyre sfidave komplekse të jashtme, ekonomia e Kinës ka arritur të tejkalojë ekonomitë kryesore të zhvilluara.


Foto: CFP


Foto: CFP

Një shpërndarje kapilare e prioriteteve ekonomike

Por, cilat janë përparësitë kryesore dhe çfarë sugjerojnë ato për shëndetin dhe stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë kineze? – Investimet në industritë e teknologjisë së lartë u rritën ndjeshëm me 11.8%; shërbimet e teknologjisë së lartë dëshmuan një rritje të konsiderueshme prej 13.9%, investimet në prodhim të përgjithshëm me 6% dhe investimet në infrastrukturë u rritën me 7.2%.

Me pak fjalë, inovacioni dhe ndërlidhja, u bënë lokomotiva e investimeve në 2023. Investimi në teknologji të lartë është një nga pikat kryesore në rolin ekonomik të Kinës për gjysmën e parë të vitit. Qeveria kineze po bën përpjekje të mëdha për të përshpejtuar zhvillimin e prodhimit në këtë fushë dhe tani kanë bërë përmirësime të jashtëzakonshme dhe domethënëse. Për më tepër, nëse shikojmë shifrat në gjysmën e parë të 2023, investimi në industrinë e prodhimit të teknologjisë së lartë të Kinës është më i lartë se investimi i të gjitha aseteve fikse së bashku.

Më tej, 5.5% rritje tregon se ekonomia është pak a shumë në objektivin e shifrës së parashikuar të qeverisë prej 5% për vitin 2023. Shifrat e rritjes së PBB-së për Kinën kanë ndjekur një kurbë shumë të qetë derisa arrijmë në periudhën e COVID. Dhe pastaj, sigurisht, disa vite kaos ekonomik në rang botëror. Këto shifra sa më sipër tregojnë se Kina ka dalë nga “periudha COVID-iane”, dhe është në rrugën e duhur për të arritur objektivat qeveritare. Dhe në bazë të supozimeve neutrale, duket se rritja ekonomike e Kinës për të gjithë vitin 2023 do të jetë rreth 5.3%, sërish është më e lartë se objektivi që është përmendur nga qeveria në fillim të këtij viti.

Po të hedhim një vështrim në historinë afatgjatë për ekonominë e Kinës, gjithmonë ka luhatje afatshkurtra, çdo ekonomi i ka ato. Por zhvendosja e fokusit të vazhdueshëm në ndjekjen e zhvillimit me cilësi më të lartë, nuk ka të bëjë vetëm me arritjen e objektivave të PBB-së. Rritja sasiore dhe cilësore janë reciprokisht të rëndësishme për shëndetin e një ekonomie gjigande si ajo e Kinës.


CFP

Nga ana tjetër investimi në infrastrukturë është ende një stabilizues i madh dhe në thelb përshpejtues i obligacioneve të qeverisjes vendore që do të emetohen në tremujorin e tretë të këtij viti. Më tej, në muajt e fundit është parë se çmimet e konsumit të Kinës (CPI) kanë shfaqur një prirje rënëse, dhe disa ekonomistë jashtë Kinës, janë disi të shqetësuar se vendi ndoshta po shfaq tendenca deflacioniste. Në përgjigje, banka qendrore e Kinës ka thënë se ekonomia e vendit vazhdon të rritet dhe nuk shfaq shenja deflacioni.

Me rritjen e inflacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në disa pjesë të Evropës, shumë ishin të shqetësuar se një pjesë e këtij inflacioni mund të eksportohej në Kinë, por kjo nuk ndodhi. Ajo që ka ndodhur është se një pjesë e dobësisë në ekonomitë perëndimore ka rezultuar në më pak kërkesë për mallra kineze, gjë që ka rezultuar në një rritje më të vogël të rritjes së PBB-së këtë tremujorin e dytë.

Kina ka përqindjen më të madhe të prodhimtarisë për të gjithë botën, me 30.2% të prodhimit total global. Në krahasim, SHBA, Japonia, Gjermania dhe Koreja e Jugut, kanë së bashku afërsisht 29.7% të prodhimit global. Pra, një tkurrje e kërkesës për produkte të konsumit të gjerë nga pjesa tjetër e botës, ndikon në totalin e ekonomisë kineze.

Narrativa selektive e shifrave

“Ekonomia e lëkundur e Kinës” shënon New York Times, direkt pasi u shfaqën shifrat. Duhet pasur parasysh se rritja në mes të krizës nuk është asnjëherë lëkundje, përkundrazi, do të thotë që bazat janë të shëndosha. “Ku po shkon ekonomia kineze”,shkruan BBC, etj.

“Eksportet e Kinës bien më së shumti në 3 vjet mes normave më të larta të interesit”, shënon Al-Jazeera, por ky numër përshtatet vetëm për 1 nga 6 muajt e vitit 2023.

Por a janë eksportet e Kinës në prag të rënies? Përgjigjja është jo. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i importeve dhe eksporteve të mallrave të Kinës u rrit në 2.8 trilion dollarë, me një rritje prej 2.1% nga viti në vit. Sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës, eksportet u rritën me 3.7%. Suficiti i eksporteve pasqyron qëndrueshmërinë e ekonomisë kineze pavarësisht gjysmë dekade të luftërave tregtare dhe teknologjike dhe efektet e mëvonshme të pandemisë.

Të dhënat e tregtisë tregojnë rritje të rajonalizimit dhe tregtisë me vendet në zhvillim. Ndërsa ASEAN (ose Asocacioni i Kombeve të Azisë Juglindore) me 10 shtete anëtare, mbetet partneri më i madh tregtar i Kinës, duke pasqyruar një integrim më të thellë ekonomik në Azi. ASEAN ishte partneri më i madh tregtar i Kinës, me tregtinë e dyanshme me rritje 5.4% nga viti në vit, tregtia e Kinës me Bashkimin Evropian u rrit me 1.9% nga viti në vit. Rënia e fuqisë blerëse të vendeve të pasuara (SHBA dhe BE) nuk e kanë lënë tregun gjigand kinez pa klientë.

“Ka rënë konsumi i brendshëm në Kinë”, shkruan Reuters. Në fakt, me hyrjen në tremujorin e dytë, aktiviteti i konsumit është ngadalësuar disi, por nuk shënojnë më tej se si shkalla e kursimeve familjare në Kinë u rrit, pasi u shpenzua shumë tremujorin e parë, u kursye më shumë tremujorin e dytë. Rënia e lehtë e konsumit është lidhur me një rënie të lehtë të importeve dhe ajo duhet parë në kontekstin e përpjekjeve të Kinës për vetë-mjaftueshmëri në sektorët strategjikë ekonomikë, si një përgjigje ndaj politikave proteksioniste të Perëndimit.

Pra, disa tituj alarmistë por që nuk reflektojnë realitetin pasi nxjerrin në pah vetëm disa nga qindra variablat që përbëjnë totalin e performancës ekonomike kineze. Megjithë narrativat e “errësirës”, rimëkëmbja ekonomike e Kinës është në rrugën e forcimit të mëtejshëm në gjysmën e dytë të vitit. Nga ana tjetër ShBA-të janë në prag të një recensioni ekonomik, eurozona tashmë po përballet thellë me recensionin dhe rritja e Japonisë mbetet rreth 1%, por Kina është ende në rritje – katër herë më shpejt se këto ekonomi të zhvilluara. Sado të “errësohet” mediatikisht, kjo nuk është një performancë e ulët, përkundrazi. Rrjedhimisht, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon se pjesa e Kinës në PBB-në globale do të rritet në 18.4%.

Që prej fillimit të këtij viti, ka pasur disa parashikime joreale për rimëkëmbjen e ekonomisë në Kinë por nuk mund të nënvlerësojmë ndikimin negativ të pandemisë shumëvjeçare, e cila ka konsumuar burime publike, në shumë aspekte, kështu në shumë pak kohë është arritur jashtëzakonisht shumë.


Foto: CFP

Së fundmi, në këto kohëra të pasigurisë së madhe ekonomike, fuqia ekonomike e Kinës po bëhet dhe ka qenë themeli i rolit të Kinës në botë. Kina ka dashur dhe po kërkon me ngulm një mjedis ndërkombëtar paqësor, ku Kina dhe bota mund të lulëzojnë ekonomikisht.

Në gjysmën e parë të këtij viti, një rritje me 5.5% është veçanërisht e rëndësishme duke marrë parasysh zhvillimin e pasigurt global të karakterizuar nga trazirat financiare, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, inflacioni i lartë dhe tensionet e vazhdueshme gjeopolitike. Ekonomia kineze po vazhdon në rrjedhën e rimëkëmbjes se saj.

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…